E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata: Me udhëzimin qeveria po cenonte të drejtën e pronës

“Fshirja e regjistrimit e privon qytetarin nga e drejta për ta disponuar lirisht pronën”

Laureta Rryçi

Në argumentet që kanë dhënë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese shprehen se fshirja e regjistrimit e privon qytetarin nga e drejta për ta disponuar lirisht pronën e tij. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm një pjesë të këtij vendimi, ku renditen argumentet përse u pranua kërkesa e Avokatit të Popullit.
Pjesë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese
“Gjykata vëren se disa nga pretendimet e parashtruara nga kërkuesi kanë në thelbin e tyre cenimin e të drejtës së pronës. Kërkuesi ka pretenduar paligjshmërinë e ndërhyrjes në titullin e pronësisë, duke arsyetuar se mënyra e fshirjes së regjistrimeve nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (këtu e në vijim: ZRPP), sipas paragrafëve të nenit 10 të ligjit të kundërshtuar, barazohet me “shpronësimin”. 11. Kushtetuta, në nenin 41, parashikon se cenimi i të drejtës së pronës si përjashtim mund të bëhet vetëm në formën e ‘shpronësimit’ dhe të ‘kufizimit’. Kufizimi i ligjshëm që mund t’i bëhet të drejtës së pronësisë, në njërën prej këtyre dy situatave, kërkohet të realizohet me ‘ligj’ dhe ‘vetëm për interesa publike’. Gjithashtu, nëse kufizimi i të drejtës së pronës është në atë masë sa që barazohet me shpronësimin, atëherë ai është i lejueshëm ‘vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë’. Në terminologjinë e përdorur nga neni 1 i Protokollit nr. 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (këtu e në vijim KEDNJ), nuk përmendet termi ‘shpronësim’. KEDNJ i referohet ‘privimit nga zotërimet’, koncept që sipas Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (këtu e në vijim GJEDNJ), përfshin si shpronësimin formal dhe atë de facto (shih vendimin Sporrong & Lönnroth v. Suedisë (1982), dhe Lithgow v. Mbretërisë së Bashkuar, 1986).
12. Në rastin në shqyrtim, sipas rregullimit të nenit 10 të Ligjit Nr. 7843, datë 13.07.1994 ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’ (të ndryshuar nga neni 5, i Ligjit Nr. 9701, datë 2.4.2007), kur për të njëjtën pasuri, janë bërë më shumë se disa regjistrime, të cilat nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri dhe kur i pari gjendet në përputhje me ligjin, regjistruesi, me vendim të arsyetuar, i kërkon kryeregjistruesit të vendosë fshirjen e regjistrimeve të kryera pas regjistrimit të parë. Në këtë periudhë kohore, e cila zgjat deri në 30 ditë, regjistrimi pezullohet dhe mbi pasurinë nuk mund të kryhet asnjë veprim.
13. Mbi bazën e pretendimeve të paraqitura nga kërkuesi dhe subjektet e interesuara, Gjykata merr në shqyrtim faktin nëse, në rastin në shqyrtim, ka kufizim të së drejtës së pronës dhe nëse janë respektuar nga legjislatori kriteret e vendosura nga neni 17 i Kushtetutës lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore me ligj, për një interes publik, për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve dhe në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar.
14. Gjykata çmon se Kushtetuta nuk prezanton ndonjë përkufizim të konceptit të pronësisë, përveçse rregullimit të nenit 41, sipas të cilit: ‘Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil’. Në legjislacionin tonë, sa më sipër, rregullohet përmes nenit 149 të Kodit Civil, i cili parashikon se: ‘Pronësia është e drejta për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet, brenda kufijve të caktuar nga ligji’, ndërsa në nenet 164-190 parashikohen mënyrat përkatëse të fitimit dhe të humbjes së pronësisë. Sipas nenit 191 të Kodit Civil, ‘heqja dorë nga pronësia mbi pasuritë e paluajtshme në dobi të një tjetri, është e vlefshme kur bëhet me akt noterial e regjistrohet’. Neni 192 parashikon: ‘Sendet e paluajtshme dhe faktet që kanë lidhje me gjendjen juridike të tyre regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Regjistrimi bëhet në bazë të një akti publik, të një vendimi gjykate apo të një organi tjetër shtetëror kompetent, si dhe në rastet e tjera të parashikuara nga ligji’. Neni 195 i Kodit Civil parashikon: ‘Pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi ato që janë fituar ose njohur sipas dispozitave të këtij kodi, nuk mund të tjetërsohen dhe kur është rasti, të ngarkohen me barrë, në rast se nuk është bërë regjistrimi i tyre në regjistrat e pasurive të paluajtshme’.
15. Nga kjo analizë e dispozitave kushtetuese dhe ligjore Gjykata çmon se regjistrimi rezulton të jetë akt me një rëndësi të posaçme në qarkullimin civil. Ndryshimet ligjore të kundërshtuara nga kërkuesi, në të vërtetë nuk cenojnë drejtpërdrejt titullin e pronësisë (qoftë ky ‘një akt publik’, ‘një vendim gjyqësor’, ‘një vendim i një organi tjetër shtetëror kompetent’). Gjykata vlerëson se ndryshimet ligjore, objekt shqyrtimi, nëpërmjet kufizimit përkohësisht, deri në 30 ditë që i bëjnë mbajtësit të titullit pronësor që ka kryer regjistrimin e parë dhe, për një kohë të papërcaktuar të tjerët e regjistruar në vijim, si dhe fshirjes së regjistrimit të tij, cenojnë njërin prej komponentëve të rëndësishëm të së drejtës së pronës, disponimin lirisht të saj, brenda kufijve ligjorë. E drejta për të disponuar është e drejta për ta shitur ose jo sendin, për ta dhuruar, për ta lënë me testament, për ta dhënë atë si garanci reale për garantimin e detyrimeve ndaj të tjerëve, etj. Duke qenë se është kërkesë sine qua non e legjislacionit civil që ‘sendet e paluajtshme dhe faktet që kanë lidhje me gjendjen juridike të tyre regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme’ (neni 192 i KC), pasi përndryshe ato ‘nuk mund të tjetërsohen’ apo ‘të ngarkohen me barrë’ (neni 195 i KC), fshirja e regjistrimit të titullit të pronësisë, ndikon drejtpërdrejtë në të drejtën e pronësisë. Nga kjo pikëpamje, Gjykata thekson se fshirja e regjistrimit, ndonëse nuk e zhvesh plotësisht titullarin nga e drejta e pronësisë, në kuptimin formalo-juridik të saj, e kufizon në fakt të drejtën e tij të pronësisë, duke e bërë të pamundur disponimin e saj.
16. Në hartimin e dispozitave të ligjit, objekt shqyrtimi, që kanë kufizuar të drejtën e pronës, Gjykata çmon të nevojshme të identifikojë praninë e interesit të ligjshëm. Sipas pretendimeve të subjekteve të interesuara, praktika administrative e regjistrimit të pronësisë ka evidentuar jo pak shkelje të ligjit në drejtim të cenimit të së drejtës së pronarit të ligjshëm, e cila ka shkaktuar paraqitjen e një fluksi të konsiderueshëm çështjesh në gjykatë. Shteti, në ushtrimin e rolit të tij rregullator në shoqëri, ka ndërhyrë për t’i dhënë fund situatës së krijuar dhe për të mbrojtur të drejtën e pronarit të ligjshëm për të gëzuar dhe disponuar lirisht pronën e tij, brenda kufijve të caktuar me ligj. Një situatë e tillë, në vlerësimin e Gjykatës, ka imponuar edhe nevojën për ndryshimin e ligjit për rregullimin e pasojave të ardhura dhe parandalimin e problemeve për të ardhmen. Mbi këtë bazë, Gjykata nënvizon ekzistencën e ‘interesit publik’ për një ndërhyrje që synon, para së gjithash, rikthimin në ligjshmëri të situatës së pronave dhe vendosjen e besimit të qytetarëve te sistemi shoqëror në fuqi. Mbi këtë analizë, Gjykata vlerëson se fshirja e regjistrimit, ndonëse nuk e zhvesh plotësisht titullarin nga e drejta e pronësisë, në të vërtetë e privon atë nga e drejta për të disponuar lirisht mbi pronën e tij. Nga ana tjetër, megjithëse interesi i legjislatorit është legjitim, fakti që pronari, i cili e ka regjistruar më pas në kohë titullin e tij të pronësisë, nuk do të mund ta gëzojë pronën në tërësinë e saj për një kohë të papërcaktuar, nuk krijon një situatë të balancuar ndërmjet interesit publik dhe interesave privatë të cenuar, veçanërisht për sa i përket mjetit jo proporcional të përdorur. Në të njëjtën kohë konstatohet se, në rastin e fshirjes së regjistrimit, megjithëse parashikohet e drejta për ankim në rrugë gjyqësore, sipas ligjit në shqyrtim, ky ankim është i lidhur me kundërshtimin e aktit administrativ dhe jo me thelbin e të drejtës së pronësisë. Duke vlerësuar mjetin e zgjedhur nga legjislatori për të arritur qëllimin e tij, Gjykata arrin në përfundimin se mjeti është kufizues dhe disproporcional. Nga kjo pikëpamje, Gjykata konkludon se dispozita ligjore objekt shqyrtimi ka cenuar të drejtën e pronës, të parashikuar nga neni 41 i Kushtetutës”.

Lidhur me pretendimin mbi shfuqizimin si antikushtetues të Udhëzimit të KM Nr. 4, datë 21.11.2007, “Për miratimin e procedurës së fshirjes së regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të atyre që krijojnë mbivendosje, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”

“Kërkuesi ka kërkuar nga Gjykata shpalljen si antikushtetues të Udhëzimit të Këshillit të Ministrave Nr. 4, datë 21.11.2007, ‘Për miratimin e procedurës së fshirjes së regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të atyre, që krijojnë mbivendosje, në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme’. Gjykata vëren se kërkuesi nuk ka parashtruar posaçërisht ndonjë argument në lidhje me këtë pretendim, por është kufizuar në referimin tek argumentet e tij për antikushtetutshmërinë e paragrafëve të dytë dhe të tretë të nenit 10 të Ligjit Nr. 7843, datë 13.07.1994 ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’ (të ndryshuar).
28. Pasi e analizoi në mënyrë integrale udhëzimin e sipërcituar, Gjykata çmon se ky akt nënligjor është nxjerrë në bazë të nenit 56 të Ligjit Nr. 7843, datë 13.07.1994 ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’ (të ndryshuar) dhe për të mundësuar zbatimin e nenit 10 të tij. Në këto kushte, Gjykata vlerëson se me shfuqizimin e nenit 10 të ligjit, objekt shqyrtimi, nuk ka më bazë ligjore për ekzistencën në korpusin e legjislacionit edhe të Udhëzimit të Këshillit të Ministrave Nr. 4, datë 21.11.2007 ‘Për miratimin e procedurës së fshirjes së regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të atyre, që krijojnë mbivendosje, në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme’.
29. Në këtë kontekst dhe duke u mbështetur në nenin 48 të Ligjit Nr. 8577, datë 10.2.2000, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, Gjykata vëren lidhjen sine qua non ndërmjet nenit 10, të analizuar më lart dhe paragrafit të dytë të nenit 39/a të Ligjit Nr. 7843, datë 13.07.1994 ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’ (të ndryshuar). Në këtë dispozitë ligjore thuhet: ‘Nëse regjistruesi është vënë në dijeni se një regjistrim i mëparshëm është kryer në kundërshtim me këtë nen, atëherë ai procedon sipas nenit 10 të këtij ligji’. Përderisa regjistruesi, në kryerjen e veprimeve, duhet të referohet në nenin 10 të ligjit, mbi të njëjtat argumente të përdorura më lart, Gjykata konkludon për papajtueshmërinë me Kushtetutën edhe të paragrafit të dytë të nenit 39/a të ligjit, objekt shqyrtimi”.

24 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›