E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese shkarkon Gjergj Saulin

Largimi i ish-Kryetarit Gjergj Sauli, pritet të ndryshojë balancat politike në Gjykatën Kushtetuese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese “shkarkon” ish-Kryetarin Gjergj Sauli. Nuk bëhet fjalë për ndonjë masë penalizuese, por për një vendim formal të kolegjit gjykues të kësaj gjykate, për të zyrtarizuar mbarimin e mandatit të anëtarit Gjergj Sauli, për shkak të daljes në pension. Vendimi është marrë në një nga mbledhjet po ashtu formale të fundvitit të shkuar, ku trupa gjykuese ka marrë në shqyrtim kërkesën e kryetarit të kësaj gjykate, Vladimir Kristo, për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Gjergj Sauli. Gjykata, pasi dëgjoi relatimin e bërë nga kryetari dhe shqyrtoi çështjen në tërësi, në vendimin e saj, të shpallur tashmë në faqen zyrtare në internet, sqaron se Sauli është emëruar gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese për një periudhë kohe prej 9 vjetësh, mandat i cili, nga ana kohore, nuk ka përfunduar. Por, sipas nenit 127, pika 1/c e Kushtetutës, mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron kur mbush moshën 70 vjeç. Nisur nga fakti se Gjergj Sauli është i datëlindjes 27.12.1938, pra, në datën 27.12.2008 ai mbushi moshën 70 vjeç dhe, për rrjedhojë, po në këtë datë i ka mbaruar mandati i gjyqtarit të kësaj Gjykate. Por, për mbarimin e mandatit, në një rast të tillë Kushtetuta përcakton edhe se ai duhet të deklarohet me vendim të vetë Gjykatës, nëpërmjet një procedure formale. Ndodhur përpara këtyre rrethanave ligjore dhe faktike, Gjykata Kushtetuese ka çmuar në vendimin e saj se mandati për Gjergj Saulin duhet të deklarohet i mbaruar për shkak të mbushjes së moshës. “Gjykata vendosi të deklarojë mbarimin e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, zotit Gjergj Sauli, sepse ka mbushur moshën 70 vjeç. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi menjëherë”, - thuhet në vendim. Ndërkohë që, largimi i Saulit pritet të ndryshojë edhe balancat vendimmarrëse në favor të së djathtës në këtë gjykatë, vendimet e së cilës marrin një rëndësi të veçantë, sidomos sa u përket çështjeve me karakter të theksuar politik. Plotësimi i vendit vakant të lënë nga Sauli do të plotësohet me një kandidaturë të propozuar nga kreu i shtetit, por duke kërkuar domosdoshmërisht pëlqimin e Kuvendit, që në këtë rast do të thotë votim i fshehtë. Por, falë votave që ka në dispozicion e djathta, duket se është e favorizuar për ta detyruar kreun e shtetit që të propozojë një emër që të ketë dhe konsensusin e saj. Deri më tani, falë faktit se anëtarët e këtij institucioni zgjidhen për një periudhë 9-vjeçare, në këtë gjykatë, megjithëse jo në mënyrë të hapur, ka ekzistuar një shumicë e thjeshtë në favor të së majtës, në raportet 5 me 4. Tashmë ky raport pritet të kalojë në kah të kundërt. Megjithatë, një balancë e tillë nuk do të jetë përfundimtare, pasi shumë shpejt, në rast se kreu i shtetit do të dekretojë ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, nisur edhe nga paralajmërimi që ka bërë vetë kryeministri Berisha, disa nga anëtarët e kësaj gjykate pritet të lënë mandatin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›