Patozi: Sfida e parë, rikompozimi i KQZ-së
TIRANË- Rikompozimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është hapi i parë, që Partia Demokratike do të ndërmarrë menjëherë pas rifillimit të punimeve të Kuvendit, më datën 19 janar. Kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, publikoi dje agjendën e punës që PD-ja do të ndjekë në Kuvend. “Rikompozimi i KQZ-së sipas formulës së Kodit të ri Zgjedhor, do të jetë prioritet i agjendës parlamentare në fillim të sesionit të ri. Rikompozimi besoj se do të jetë një çështje, të cilën Parlamenti do ta konsumojë që në seancat e para të tij", - tha dje Patozi. Kryetari i Grupit parlamentar i PD-së ka ripërsëritur angazhimin e bërë publik se, kryesfida në këtë sesion të ri parlamentar do të jetë plotësimi i infrastrukturës, me qëllim zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. "Kryesfida e mazhorancës, por do të thosha e gjithë politikës, mbetet mbajtja dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ne kemi bindje absolute që kjo do të ndodhë, për shkak se kemi përshkuar shumicën e rrugës me shumë sukses dhe besoj se ka një vullnet të palëkundur të të gjithë strukturave të mazhorancës për t'i garantuar këto zgjedhje të lira e të ndershme, në qershor të këtij viti",- tha Patozi. Në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, PD-ja është përfshirë edhe në një fazë ristrukturimi të strukturave të saj. “PD-ja është në një fazë zgjedhjesh, gjë që do të sjellë dhe forcim të strukturave të saj, për të siguruar edhe një mandat tjetër qeverisës",- u shpreh Patozi, njëkohësisht nënkryetar i PD-së.
Imuniteti i deputetit
Partia Demokratike do të risjellë në vëmendje edhe nismën e shumëpërfolur për kufizimin e imunitetit të deputetit. Kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së kujtoi se përmbushja e një sfide të tillë do të ishte nder për Parlamentin. “Pas një mbylljeje shumë dinjitoze që Parlamenti i bëri sesionit të kaluar, ky nuk do të ishte një zhvillim i papritur ose thjesht pragmatist, por një rrjedhojë logjike e një klime të re, të krijuar tashmë nga klasa politike në Shqipëri. Përfundimi i nismës "Për kufizimin e imunitetit" është një sfidë që do t'i bënte nder Parlamentit. Kufizimi i imunitetit të deputetëve do të vazhdojë dhe me imunitarë të tjerë”,- tha Patozi. Për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët, prej disa kohësh janë angazhuar dy anëtarët e Këshillit për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin, Ilir Rusmali nga PD-ja dhe Ylli Bufi nga PS-ja. Kuvendi do të rifillojë punimet më 19 janar, datë kur do të zhvillohet dhe seanca e parë për sesionin e ri parlamentar. Sipas rregullores së Kuvendit, Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare do të miratojë kalendarin e punës për javët në vazhdim të Kuvendit, i cili pritet të marrë në shqyrtim disa p/ligje të mbartura nga sesioni paraardhës, ose p/ligje të reja tëpropozuara nga Këshilli i Ministrave. Disa nga draftet më të rëndësishme që pritet të shqyrtohen, janë p/ligji "Për gjykatat administrative", "Për përgjimin e telekomunikacioneve", "Për administratën gjyqësore", etj.