E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Kushtetuese, shqyrton ankesën për “titujt e pronësisë"

Merret parasysh ankesa e Avokatit të Popullit. Ligji për verifikimin e dhënies së të gjithë titujve të pronësisë për tokat bujqësore nisi të zbatohet në shtator të vitit të kaluar. 

TIRANE- Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e ankesës së Avokatit të Popullit kundër zbatimit të ligjit për vlerësimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Duke argumentuar se çështjet e pronësisë i zgjidh vetëm Gjykata dhe jo organe të ekzekutivit, Avokati i Popullit kërkonte nga Kushtetuesja shpalljen e ligjit si antikushtetues. “Ligji është në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike si edhe bie ndesh hapur me nenin 7, 41, 42/2 të Kushtetutës”, - pretendoi Avokati i Popullit. Por, përfaqësues të qeverisë dhe parlamentit kanë mbrojtur ligjin e miratuar korrikun e kaluar, duke garantuar se nuk shkelet e drejta e ankimimit në gjyqësor. Juristja e ekzekutivit tha përpara trupës kushtetuese, se ligji “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën”, u hartua për të shpejtuar zgjidhjen e konflikteve mbi tokat e ndara sipas ligjit “Për Tokën” nr. 7501 për ish-fermat bujqësore. Gjykata e mbylli hetimin dhe u tërhoq për vendim. Nëse ligji rrëzohet, bien edhe të gjitha vendimet e marra nga 12 komisionet për tokën nëpër qarqe gjatë një viti funksionimi. Miratimi i këtij ligji u kundërshtua ashpër nga shoqatat e pronarëve dhe Partia Socialiste. Sipas socialistëve, një ligj i tillë do të sjellë konflikte sociale në vend. Ndërkohë, shoqata e ish-pronarëve, “Pronësi me Drejtësi”, u shpreh se verifikimi i titujve të pronësisë është i nevojshëm të kryhet, por vetëm në rastet kur vihen re abuzime. Ligji për verifikimin e dhënies së të gjithë titujve të pronësisë për tokat bujqësore nisi të zbatohet në shtator të vitit të kaluar. Ky ligj ka për synim verifikimin e të gjithë titujve të pronësisë të dhënë për tokat bujqësore ndër vite, për të vërtetuar nëse janë dhënë apo jo në përputhje me ligjet në fuqi apo janë marrë në mënyrë abuzive.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›