E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Europës: Të ndryshojë Kodi Zgjedhor

Vëzhguesit e Këshillit të Europës kanë hartuar një raport të veçantë për këto zgjedhje dhe do t’ia bëjnë të njohur anëtarëve të kësaj asambleje, të cilët do të japin vlerësimin e tyre: “Pati probleme me numërimin e votave” 

TIRANE-Javën e ardhshme, më 28 shtator, pritet që në Asamblenë Parlamentare të lexohet raporti mbi procesin zgjedhor në Shqipëri. Vëzhguesit e Këshillit të Europës kanë hartuar një raport të veçantë për këto zgjedhje dhe do t’ia bëjnë të njohur anëtarëve të kësaj asambleje, të cilët do të japin vlerësimin e tyre.

Pak ditë më parë, Komisioni Europian dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhanë një opinion paraprak për zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat i vlerësuan se “shënuan progres të dukshëm”. Në këtë opinion të përbashkët, progres në zgjedhje konsiderohen regjistri elektronik i zgjedhësve, identifikimi i votuesve, konsensusi i arritur për sistemin zgjedhor të përzgjedhur.

“Komisioni ad-hoc vlerëson qetësinë e vërejtur gjatë ditës së zgjedhjeve dhe mirëorganizimin e tyre, duke vërejtur se nuk u shënua asnjë incident apo rast dhune. Ad hoc konsideron gjithashtu se, amendimet në Kushtetutë dhe Kodi i ri Elektoral i aprovuar me konsensus nga dy partitë kryesore, solli një përmirësim të dukshëm të legjislacionit elektoral në Shqipëri”, - theksohet në këtë deklaratë të Asamblesë së Këshillit të Europës. Sipas këtij komisioni, ngritur për të dhënë këtë vlerësim, vihet në dukje se debati politik që pasoi projekti për pajisjen me kartat e identitetit, që u bë pjesë edhe e fushatës elektorale, “la mënjanë çështjet që shqetësojnë qytetarët shqiptarë e që duhet të jenë në qendër të debatit”. Një kritikë tjetër e komisionit ad-hoc, është se pavarësisht se u miratua ligji për pjesëmarrjen e 20 për qind të grave në Parlament, roli i gruas në “në jetën politike shqiptare vazhdon të mbetet i limituar”. “Komisioni ad hoc rekomandon se, për zgjedhjet e ardhshme procesi i numërimit të votave të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme dhe të rritet numri i komisionerëve të numërimit të votave. Ad hoc, në bashkëpunim me Komisionin e Venecias fton autoritetet në Shqipëri të përmirësojë sistemin ligjor e të rrisin kapacitetet e administrimit elektoral”, - citohet pjesë e opinionit të Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare.

Rekomandim tjetër i këtij komisioni, bërë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare, është krijimi i një administrate të paanshme dhe profesioniste elektorale, përfshirjen e grave në listën e kandidatëve si dhe reformë në Kodin Elektoral, duke u mbështetur në standardet e njohura ndërkombëtare. Dy ditë më parë, ambasadori gjerman, Borschard theksoi se vendet anëtare të BE-së do ta shqyrtojnë kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, pasi këto vende të japin një vlerësim të përbashkët për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Komisioneri i Zgjerimit, disa ditë më parë theksoi mundësinë e fillimit të shqyrtimit të kësaj kërkese në vjeshtën e këtij viti.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›