E Diel, 1 Nëntor 2026

Diskriminimi, Berisha kundër deputetëve për “shkrirjen” e komisionerit

02/02/2010  Kushtetuta do 3/5 për kompetencat e Dobjanit
Ndërsa deputetët e mazhorancës në komisionin e Shëndetësisë kanë kundërshtuar miratimin komisionarit si një institucion që do të ngrihet për të mbrojtur personat e cenuar në kundërshtim me ligjin “Për diskriminimin”, Kryeministri Berisha ka këmbëngulur në variantin e shoqërisë civile. Duket se mungesa e kartonëve të opozitës pengon kalimin e kompetencave të këtij komisioneri tek Avokati i Popullit. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon veprimtarinë e Avokatit të Popullit, dhe për të zgjeruar objektin e detyrave të tij në respektim të projektit të ri, duhet ndryshuar Kushtetuta me 3/5 e votave të deputetëve të Kuvendit. “Ka qenë mendim i grupit parlamentar që mbikëqyrja, monitorimi i procesit të antidiskriminimit t’i besohej Avokatit të Popullit, si institucioni më i konsoliduar në vend, në mbikëqyrjen e lirive dhe të drejtave njerëzore. Po këtu duket se ka një kufizim ligjor, që qëndron në objektin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit dhe meqenëse ndryshimi i këtij ligji do të kërkonte 3/5, mendoj të procedojmë duke ngritur një trupë të veçantë, të varur nga Parlamenti, që të mbikëqyrë zbatimin e këtij ligji. Kjo praktikë mund të jetë edhe më e këshillueshme në aspektin që të mos konceptohet si një lloj mbingarkese për institucionin e Avokatit të Popullit”, tha Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së. Po dje, ky projekt u diskutuan në komision, ku deputetët referuar edhe faturës financiare për funksionimin e komisionerit, kanë sugjeruar kalimin e kompetencave të tij tek Avokati i Popullit. Kundër këtij u deklarua drejtori i Shoqatës së Mbrojtjes së Fëmijëve, Altin Hazizaj. “Çdo person ka të drejtën t’i ankohet komisionerit dhe më pas ky person ka të drejtë të japë rekomandime, kërkesa speciale, por edhe të vendosë gjoba. Sot për sot në ligjin që ekziston, Avokati i Popullit nuk mund të zbatohet, sepse Avokati i Popullit mbulon vetëm ato problem në lidhje me sjelljen shtetërore. Komisioneri duhet të jetë i pavarur si politikisht, ashtu edhe nga ana buxhetore”, tha Hazizaj. Pavarësisht debateve, Kryeministri u kërkoi deputetëve të tij miratimin e ligjit javën që vjen. “Në axhendën e javës që vjen janë një seri ligjesh shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me përcaktimin e një qëndrimi të ri ndaj fenomeneve dhe një adaptimi të një praktike antidiskriminuese në Shqipëri”, kujtoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›