E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese zgjidh ngercin per pagesen e demeve nga aksidentet

Pagesat e dëmeve nga aksidentet në Shqipëri tashmë dhe në vijim , do të bëhen duke u bazuar në ligjin nr. 10076 datë 12 shkurt 2009 "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit". Ky është konkluzioni që buron nga Vendimi i shpallur të premten nga Gjykata Kushtetuese. Institucioni gjyqësor më i lartë në vend ka nxjerrë në pah se rendi juridik nuk është një radhitje e barasvlershme normash, por një sistem hierarkik, një piramidë aktesh normativeë ku në majë të saj qëndron Kushtetuta, e cila përbën burim për aktet e tjera juridike, evidenton përparësinë që marrin ligjet e parlamentit shqiptar mbi të gjitha aktet e tjera. Paqartësia që ekzistonte në praktikën gjyqësore mbi mënyrën e kryerjes së pagesave të dëmeve, e merr përgjigjen definitive me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila nëpërmjet një interpretimi pajtues orienton për ligjin që duhet të zbatohet. Zgjidhja përfundimtare që Gjykata Kushtetuese bëri nëpërmjet këtij interpretimi kushtetues, i preu përfundimisht rrugën mundësisë për dy interpretime kundërshtuese me njëri-tjetrin, të cilat rezultonin në vlerë monetare të ndryshme për të njëjtin rast sigurimi, duke shkelur në këtë mënyrë parimin e barazisë midis palëve në proces. Problemi i pagesës së dëmeve me dy standarde është bërë jo rrallë herë objekt abuzimi. Për këtë qëllim vetëm para pak kohësh, nisur edhe nga disa denoncime që Kompanitë e Sigurimeve kishin bërë në organet përkatëse, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hequr licencat për disa vlerësues dëmesh, të cilët ishin bërë shkaktar për të deformuar vendimmarrjet gjyqësore. Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese, në kuptim edhe të standardit kushtetues të sigurisë juridike, vendosi rregulla për zbatimin e njëllojtë të normave ligjore, me qëllim shmangien e abuzimeve në fushën e sigurimeve. Nëpërmjet këtij vendimi Kushtetuesja vendosi që pagesa e dëmeve në sigurime të bëhet sipas ligjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›