E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fushata do bllokojë investimet 6-mujorin e dytë"

Ekspertët e ekonomisë parashikojnë rënie të investimeve e çrregullime të tregut. "Qeveria s'ka vjelë taksat për të marrë vota"


TIRANË- Fushata elektorale që sapo kaluam mund të cilësohet si më e gjatë dhe më e shtrenjta e zhvilluar ndonjëherë gjatë viteve të pluralizmit në vend. Kjo ka bërë që ende të mos dihet se çfarë efekti mund të sjellë në ekonomi pompimi në treg në një kohë kaq të shkurtër i një sasie të madhe likuiditeti.


Krahas shpenzimeve për investime publike, të cilat gjatë gjithë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kanë qenë me shumicë, sasi të mëdha parash në treg janë hedhur edhe për efekt të fushatës elektorale nga partitë politike dhe mbështetësit e tyre.


Ekspertët e ekonomisë, ish- guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, dhe ish-ministri i Ekonomisë, Zef Preçi, komentojnë situatën në fjalë.


"Nisur edhe nga një vlerësim i publikuar nga një organizatë ndërkombëtare, kostos së shpenzimeve të përgjithshme të fushatës elektorale të 2005-ë i reflektojnë ndryshimet e ndodhura në përmbajtjen dhe në mjetet e përdorura të asaj që sapo u mbyll, mund të arrijmë në përfundimin se në këtë të fundit janë shpenzuar rreth 180 milionë euro",- thotë Zef Preçi.


Ndërsa, ish-Guvernatori Cani shprehet se, praktika e shpenzimeve elektorale nuk është vetëm shqiptare. Ajo që përbën veçanti për vendin tonë shton ai, është sasia e madhe e parave dhe përqendrimi i tyre në një kohë shumë të shkurtër.


"Këto shpenzime janë shumë herë më të larta krahasuar me çdo vend tjetër", shprehet ai. Ish-guvernatori Cani thotë se, përvoja e viteve të shkuara ka treguar se shpenzimet më të mëdha për investime publike janë kryer gjatë gjashtë mujorit të dytë të vitit ndërsa, këtë herë ndodhi e kundërta, kur pjesa më e madhe e tyre janë nisur që në muajt e parë të vitit.


Shpenzimet për investime publike, të cilat shpesh herë prodhojnë edhe numrin më të madh të vendeve të punës janë mënyra më e mirë për të injektuar sasi të konsiderueshme likuiditeti në treg.


Por, sipas Preçit, një pompim kaq i madh fondesh private në ekonomi në funksion të fushatës, megjithëse ka ndikuar pozitivisht në situatën monetare momentale të ekonomisë së vendit, në të njëjtën kohë ka krijuar edhe çrregullime serioze që mund të shfaqen në gjysmën tjetër të vitit.


Pavarësisht efekteve pozitive të shpenzimeve të larta në periudhën e fushatës elektorale, të dy ekspertët shprehen pesimistë në lidhje me zhvillimet ekonomike për muajt në vazhdim.


Sipas Preçit, kombinimi i një viti zgjedhor dhe i shpenzimeve elektorale, me një krizë ekonomike botërore, nuk mund të sjellë gjë tjetër veçse rëndimin e mëtejshëm të situatës së përgjithshme ekonomike të vendit, ndërsa edhe qeveria e re pritet të përballet me një serë sfidash.


Të tilla, sipas tij, janë nevoja e miratimit të një pakete anti-krizë, rishikimi i treguesve midis të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore të këtij viti me qëllim përputhjen e tyre dhe rivendosja e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe FMN-së.


Ndërsa sipas Canit, shpenzimet e larta për investime publike vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit nuk mund të përkthehet ndryshe veç se me një ndërprerje të tyre në muajt në vazhdim.


"Jam i bindur se në gjysmën e dytë të këtij viti do të ketë një ndërprerje të punimeve edhe të tyre që më parë nuk ishin parashikuar të ndërpriteshin", thotë ai duke renditur edhe shkaqet që mund të krijojnë këtë situatë. Sipas tij, vërehet një ulje në të ardhurat e buxhetit të shtetit pasi në prag të zgjedhjeve qeveria bëhet më e butë në vjeljen e taksave për efekt te votave.


Po ashtu, një faktor tjetër që mund të shkaktojë një ndërprerje të investimeve publike sipas tij është edhe kriza ekonomike globale duke i bërë bizneset më pak të predispozuar për të paguar taksat duke sjellë mungesë parash në buxhet.


Shuma e parave të injektuara në treg për dy muaj


496 milionë dollarë kredia në tregun ndërkombëtar
180 milionë euro supozohet të jetë kostoja e fushatës së partive politike
37 miliardë lekë investime publike gjatë pesë mujorit të parë të këtij viti
6 milionë dollarë fondi për partitë politike në funksion të fushatës


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›