E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi nuk ndalet

Rastet e prekura me gripin e derrit në Kosovë janë duke u shtuar. Edhe gripi sezonal po përhapet. Megjithatë, zyrtarët e institucioneve shëndetësore thonë se nuk ka vend për shqetësim. Kosova ka medikamente të mjaftueshme për ta “luftuar” gripin e derrit. Por, edhe qytetarët duhet të kujdesen më shumë për veten. Nga Nexhmije Ahmeti më 06 shkurt 2011 në ora 08:46

Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, 12 persona janë konfirmuar se janë të infektuar me gripin e derrit. Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë të ditur se gjendja e tyre është relativisht e mirë dhe se nuk ka nevojë për panik. Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, tha të shtunën për Express se në bazë të raporteve të fundit janë 110 raste të konstatuara se e kanë gripin e derrit.

“Deri të premten, në Klinikën Infektive kemi pasur 21 persona të dyshuar se janë të prekur me këtë virus. Nga ta 12 janë konstatuar se e kanë gripin e derrit”, tha Hoti.
Edhe pse temperaturat e ulëta që po mbretërojnë kanë ndikuar që të shpeshtohen rastet me grip të derrit, Hoti thotë se nuk ka vend për panik, pasi që, sipas tij, ka medikamente të mjaftueshme.

“Medikamentet janë hapësira për trajtimin e pacientëve është rezervuar në Klinikën Infektive dhe pacientët do të trajtohen ashtu siç duhet”.

Megjithatë, Hoti shprehet se nuk varet e gjitha nga kjo. “Nuk mjaftojnë të gjitha këto, nëse njerëzit nuk kanë kujdes që të shkojnë menjëherë te mjeku. E kemi rastin e fundit kur pacientja që vdiq është paraqitur në Klinikën Infektive në ditën e dhjetë”.
Ministria e Shëndetësisë është e përgatitur edhe për ndonjë fluks eventual të paraqitjes me grip të derrit, megjithatë zyrtarët e saj nuk mendojnë se numri do të rritet në masë të madhe. Hoti thotë se është esenciale që medikamentet i kanë të sigurta deri në përfundim të sezonit.

Javën e kaluar, një femër 46-vjeçare ka vdekur në Klinikën Infektive si pasojë e infektimit me virusin AH1N1. Kjo ishte vdekja e parë nga ky virus për vitin 2011.

Thirrje për kujdes

Krahas gripit të derrit, tanimë në Kosovë është përhapur edhe gripi sezonal. Në qendrat e Mjekësisë familjare dhe nëpër ambulanca numri i atyre që kërkojnë ndihmën e mjekut është i madh. Nga gripi sezonal, një person i moshuar ka vdekur. Ai ka ndërruar jetë në të njëjtën ditë me pacienten që ishte e infektuar me gripin e derrit. Pasi që simptomat e gripit sezonal me atë të gripit të derrit janë pothuajse të njëjta, mjekët këshillojnë pacientët se në rast që vërejnë shenja të gripit, ngritje të temperaturës apo dhimbje të muskujve, të paraqiten sa më parë te mjeku më i afërt. Me gjithë shtimin e numrit të personave të prekur me gripin e derrit, zyrtarët e institucioneve shëndetësore në vend thonë se nuk ka arsye për shqetësim.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka thënë më herët se nuk ka vend për shqetësim, pasi që vaksina tamiflu ka me bollëk. Ai ka thënë për Express se vetëm ISHKPK ka në shfrytëzim 2500 këso vaksinash. “Ne jemi në gjendje gatishmërie për çdo rast”.

IKSHP-ja ka dërguar më herët në Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Arsimit si dhe nëpër shkolla të gjitha udhëzimet për masat që duhet të ndërmerren, në mënyrë që gripi të mos përhapet. Ramadani kishte paralajmëruar shtim të rasteve, sidomos gjatë dimrit dhe në kohën kur bashkatdhetarët vijnë për pushime, në dhjetor e janar. Gripi i derrit zakonisht paraqitet me uljen e temperaturave, sidomos gjatë pranverës, vjeshtës dhe dimrit. Virusi AH1N1, i njohur edhe si gripi i derrit, në Kosovë, për herë të parë është paraqitur në vitin 2009. Vetëm gjatë atij viti, ky virus ka marrë jetën e 7 personave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›