Gjykata Supreme të vendos për shtyrjen e zgjedhjeve

Gjatë tre ditëve qëndrimi në Durrës, GPZ-ja është fokusuar kryesisht tek sanksionet, tek fushata parazgjedhore, financimi i fushatës, procesi i votimit, procesi i numërimit dhe siguria në zgjedhje. Madje është kërkuar që rëndësi të veçantë t’i kushtohet ligjeve, ku, siç është thënë, Ligji mbi zgjedhjet e përgjithshme duhet të jetë në përputhshmëri me Ligjin për financimin e partive politike.
Kryesuesja e këtij grupi, Valdete Daka ka deklaruar se këto rekomandime nuk janë përfundimtare, pasi ato do t’i dërgohen Komisionit për Reformë Zgjedhore, i cili do të dal me rekomandime përfundimtare.
Duke folur për shtyrjen e zgjedhjeve, Daka ka thënë se kërkesa është që këtë vendim ta marrë Gjykata Supreme.
“Faktikisht të drejtën për anulimin e zgjedhjeve do ta ketë edhe KZAP-i siç e ka pasur deri më tani më ligj, por është kërkuar që Gjykata Supreme mos ta kthejë çështjen në rigjykim si deri tani por të vendos vetë për çështjen. Faktikisht për ankesa të vendos vet Gjykata Supreme, qoftë për anulim të zgjedhjeve apo për përsëritje, pra të mos i kthehet në rigjykim KZAP-it”, ka thënë ajo.
Komisioni për Reformën Zgjedhore ka tre muaj afat që t’i dorëzojë në Kuvend amandamentimet për Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Kryetari i këtij Komisioni, Haki Demolli ka pranuar se zonat zgjedhore dhe listat janë çështje të natyrës politike, për të cilat, sipas tij, ende nuk është arritur konsensus se sa zona të jenë dhe as për përcaktimin nëse listat duhet të jenë të hapura apo të mbyllura.
“Këto dy çështje janë të natyrës politike, dhe në takimin e GPZ-së kemi diskutuar disa herë për këto çështje dhe kemi disa rekomandime të cilat janë mjaftë divergjente. Konkretisht sa i përket zonave kemi rekomandime prej 1 deri në 100 zona, çka e vështirëson punën për përcaktimin apo marrjen e vendimit për zonat konkrete, por mendojë që në këtë vendim Komisionin tonë do ta ndihmojnë edhe krerët e subjekteve politike në mënyrë që aty të përafrohen qëndrimet”, ka deklaruar ai.
Nga listat dhe zonat zgjedhore që nuk ka pajtueshmëri, për pragun zgjedhorë është thënë se propozimet janë të përafërta, pra pragu zgjedhorë sillet mes 2.5 për qind dhe në 5 për qind. Nuk është lënë pa përmendur edhe mëditjet që mund të kenë marrë GPZ-ja gjatë qëndrimit të tyre në Durrës. /kosovapress/