E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata: Zgjedhja e Pacollit, jo kushtetuese

PRISHTINE- Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka vlerësuar si të pranueshme ankesën e partisë Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) lidhur me mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, duke vlerësuar kështu se vendimi për zgjedhjen e tij ka qenë jo-kushtetues.

Gjykata Kushtetuese, njëzëri, vendosi që të shpall Kërkesën të pranueshme dhe, me shumice votash, dhe me dy gjyqtar mospajtues, shpall se Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me datë 22 shkurt 2011, është jo kushtetues pasi që është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty, thuhet në një komunikatë për medie të lëshuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Vendimi i lëndës me numër KO 29/11 të ashtuquajtur Sabri Hamiti dhe deputetë të tjerë, do tu dërgohet palëve me shkrim në një afat sa më të shkurtër.

Por, në këtë komunikatë të Gjykatës Kushtetuese, cituar nga Express,  nuk saktësohet se a do të hyjë në procedurë të rivotimit edhe njëherë presidenti Pacolli apo duhet të zgjidhet një president i ri.

Ky vendim nuk ka të bëj me Qeverinë e Kosovës e cila me 22 shkurt është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës dhe në anën tjetër kryeministri Hashim Thaçi nuk ka qenë i nominuar nga presidenti Behgjet Pacolli por nga u.d të presidentit, Jakup Krasniqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›