E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi : “Shqipëria në BE dhe roli i saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor”

Rëndësia që ka arsimi i lartë në përgjithësi dhe ai profesional në veçanti, sikurse dhe sfidat e reja në metodologjinë e mësimdhënies kanë qënë në fokus së bisedës mbajtur nga presidenti Bamir Topi me rektorin e Univeritetit të njohur të Shkencave të Matematikës, Fizikës dhe Natyrës në Bolonja, “Alma Mater Studiorum”, Profesor Ivano Dionixhi.

Topi mbajti një ligjëratë në auditorin “Aula Manja” të Fakultetit të Agronomisë të Universitetit të Bolonjës, në prani të Dekanit të këtij Fakulteti, Profesor Andrea Segre dhe Rektorit të Universitetit, Profeser Dionixhi, pedagogëve të këtij institucioni të rëndësishëm akademik të vendit fqinj, si dhe të mjaft studentëve.

Duke shprehur fillimisht kënaqësinë e veçantë që ndodhet në vendin mik, Itali, si një nga partnerët më të rëndësishëm politik dhe ekonomik të Shqipërisë, por dhe duke nënvizuar faktin që ndodhet në një prej universiteteve më të vjetra dhe më të njohura të vendit fqinj, presidenti Topi vuri në dukje se “Italia dhe universitetet e saj janë institucionet më të preferuara të të rinjve shqiptarë” dhe se “aktualisht ne kemi mbi 35 mijë të rinj që studiojnë në Itali, kemi qindra specializantë dhe disa dhjetëra projekte të përbashkëta bashkëpunimi midis universiteteve dhe njësive të tjera kërkimore e shkencore. Ky bilanc mbështetjeje dhe ndryshimi rrënjësor në marrëdhëniet midis vendeve tona, por në një kontekst më të gjerë, midis vendit tim dhe familjes evropiane simbolizon një realitet të ri në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së, midis rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës së Bashkuar” theksoi presidenti shqiptar.

Topi theksoi se: “Brenda dy dekadash Shqipëria ka arritur të përmbushë standardet kryesore të funksionimit të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, të krijojë një sistem të demokracisë funksionale dhe të konkurrencës së lirë të tregut, tregues të konfirmuar me pranimin në NATO dhe partneritetin aktiv në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ne jemi të vetëdijshëm se nevojat dhe sfidat tona janë ende të mëdha, disa gjëra duhet t`i kishim bërë më mirë dhe më shpejt, energjitë tona pozitive mund t`i kishim përdorur më mirë në funksion të reformave, por jemi po ashtu të vetedijshëm për rrugën e gjatë që duhet të përshkruajmë për ta bërë këtë realitet të ri evropian sa më të prekshëm për qytetarët, sa më të qëndrueshëm e funksional, në ato standarde e nivele të cilat kanë arritur shtetet përbërëse të Bashkimit Evropian”.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›