Gjykata administrative, PS: Ja 5 pikat ku do të ndërhyhet
Në prag të nisjes së diskutimit për gjykatën administrative në komisionin parlamentar, PS ka nisur dëgjesën publike me grupet e interesit për ti bërë propozimet e tyre pjesë të ligjit që do zgjidhen kryesisht mosmarrëveshjet mes biznesit dhe administratës shtetërore.
Sipas socialistëve 5 janë çështjet themeltare që duhet parë më kujdes para votimit të këtij ligji, së pari numri i gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit që duhet të krijohen pas miratimit të ligjit. Së dyti kriteret e emërimit të gjyqtarëve, për të vijuar me normat e proçeduriale për lehtësimin e gjykimit dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Por relatori i këtij ligji në komisionin e ligjeve, Armando Subashi u ndal vecanërisht në mungesën e përcaktimit të kolegjit të posaçëm që do të merret me çështje administrative në Gjykatën e Lartë.
Ndërsa deputeti Fatmir Xhafaj, tha se për socialistët është me rëndesi përgatitja e një ligji cilësor më shumë se sa votimi i tij.
Shqipëria është vendi i fundit në rajon që nuk ka ende Gjykatën Administrative.
Ligji ka mbetur peng i konsensusit politik prej 2 vitesh edhe pse ngritja e një institucioni të tillë, si pjesë e sistemit të drejtësisë është dhe një nga kushtet që vendi duhet të plotësojë për anëtarësimin në BE.