E Diel, 1 Nëntor 2026

PS dënon incidentin në Maqedoni: Ndëshkoni autorët

Partia Socialiste ka dënuar aktin vandal të rrahjes së studentëve shqiptarë në Maqedoni nga huliganët vendas, duke e konsideruar jo vëtëm një akt kriminal, por një sinjal alarmi për një rikthim tek e shkuara e tensioneve e konflikteve etnike. Në një deklaratë për shtyp të kësaj partie citohet:

“Dhunimi i nxënësve shqiptarë, të sulmuar e të rrahur në mënyrën më barbare për arsyen e vetme se janë shqiptarë, përbën padyshim jo vetëm një akt të papranueshëm kriminal, por edhe një sinjal alarmi për të gjithë ata që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në Europë dhe jo në një rikthim tek e shkuara e tensioneve e konflikteve etnike.

Partia Socialiste dëshiron t`u shprehë mbështetjen dhe solidaritetin e saj viktimave të këtij sulmi të shëmtuar dhe familjarëve të tyre. Partia Socialise dëshiron t`i shprehë, po ashtu, mbarë komunitetit shqiptar në Maqedoni vendosmërinë e saj të palëkundur për t`iu gjendur atyre në krah jo vetëm kur përballen me situata të tilla të papranueshme për Europën e shekullit 21, por edhe gjatë gjithë përpjekjeve të tyre për të fituar vendin që u takon në shoqërinë dhe institucionet maqedonase.
Partia Socialiste e ka ndjekur me shqetësim të thellë shtimin e incidenteve dhe rritjen artificiale të tensioneve me sfond etnik e fetar në Maqedoni; incidente e tensione, të cilat nuk i shërbejnë askujt, përpos disa grupeve apo individëve të cilët nuk ndajnë as vizionin demokratik e as vizionin europian të popujve tanë. Fakti që incidentet e kësaj natyre, qoftë me parrulla raciste nëpër stadiume, apo sulme të motivuara nga urrejtja etnike, janë kthyer në rituale gati të përjavshme duhet të shihet nga të gjithë ne si një kambanë alarmi për kanosjen e bashkëjetesës demokratike në Maqedoni” thuhet në deklaratë.

PS gjithashtu u ka bërë thirrje autoriteteve maqedonase që të hetojnë e të ndëshkojnë me forcën e ligjit autorët e këtij krimi të shëmtuar dhe të përballen pa ngurrim me çdo shfaqje të urrejtjes etnike apo fetare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›