Gjykata, arrest në burg për ish policin falsifikator
SARANDË- Vendoset masa e sigurisë "arrest në burg" për ish-efektivin e policisë, i akuzuar për falsifikim e një sërë vulash dhe dokumentash shtetërore. Masa e sigurisë ndaj 55 vjeçarit Selman Lumani është vendosur sot nga ana e Gjykatës së Sarandës. Vendimi është dhënë pa praninë e të pandehurit Lumani, pasi ai vazhdon të trajtohet në spitalin ushtarak të Tiranës për shkak të plagëve që mori në pjesë të ndryshme të trupit, si pasojë e hedhjes nga një ndërtesë tre katëshe për ti shpëtuar arrestimit nga ana e efektivave të policisë,
Ndërkohë, tre ditë më parë, kur ekspertët e kriminalistikës identifikuan në banesën e Lumanit 26 vula të institucioneve të rëndësishme shtetërore dhe 35 dokumente të gjitha të falsifikuara, ai u hodh me gjithë pranga nga ballkoni i shtëpisë së tij, në qytetin e Sarandës.
Ndër vulat e gjetura në banesën e tij përfshihet ajo e Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Arsimit, zyrës Arsimore të Sarandës, Bashkisë, komisariatit të Policisë, Konsullatës Greke në Gjirokastër, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Greke, Ambasadës Shqiptare në Athinë, 9 vula të institucioneve të ndryshme të Greqisë, 35 çertifikata të gjendje civile, 3 vërtetime të gjendjes gjyqësore si dhe 2 leje ndërtimi.55 vjeçari Lumani punonte si taksist pas lirimit nga detyra si efektiv i policisë. (a.r/balkanweb)