E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, burg pa afat për Arben Isufajn

Tiranë- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, me kërkesë të organit të akuzës vendosi ndryshimin e masës së sigurisë për të pandehurin Arben Isufaj, i njohur ndryshe me nofkën “Ben Qimja”.

Nga ajo e dhënë me “arrest në burg”, me afat 45 ditor, në masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat deri në përfundim të hetimeve. Me kërkesë të prokurorit Ervin Karanxha togat e zeza të kryesuara nga gjyqtarja e gatshme Alkelina Gazidede mori në shqyrtim kërkesën e akuzës për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurit Isufaj, i cili u arrestua këtu e 45 ditë më parë me dyshimet se është bashkautor i vrasjes së shtetasit Pirro Koçiu, në gusht të vitit 2002.

Kështu, gjatë seancës gjyqësore vetë i pandehuri nuk është paraqitur. Fillimisht, avokati i të pandehurit paraqiti para kryetarit të kësaj gjykate, kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Gazidede për shqyrtimin e kësaj kërkese, pasi ishte shprehur një herë në lidhje me këtë të pandehur.

Por, kjo kërkesë nuk u pranua që zgjoi debate të ashpra gjyqësore mes gjyqtares së gatshme dhe mbrojtësit ligjor të të pandehurit. Njëkohësisht, avokati dy ditë më parë kishte deponuar pranë prokurorisë së Tiranës kërkesën për përjashtimin e prokurorit Karanxha nga hetimi i çështjes, kërkesë kjo që ishte rrëzuar edhe pse ndaj tij tashmë ekziston një kallëzim penal nga vetë i pandehuri dhe mbrojtësi i tij ligjor për falsifikim të dokumenteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›