E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata dënon të pandehurit e “Kredia e Keqe”

Të akuzuar për mashtrime me kredi bankare, Gjykata e Tiranës dënoi sot shtatë të pandehurit e operacionit “Kredia e Keqe”. Ata u dënuan me masa që variojnë nga 19 muaj deri në 2 vjet burg. 

TIRANË - Gjykata e Tiranës shpalli sot vendimet përfundimtare për shtatë të pandehurit e operacionit “Kredia e Keqe” të akuzuar për mashtrime me kredi bankare. Gjykata i shpalli ata fajtor dhe i dënoi me masa që variojnë nga 19 muaj deri në 2 vjet burg. Konkretisht gjykata dënoi me 2 vjet burg të pandehurin Taip Çelaj, me 21 muaj burg të  pandehurin Arben Beqiri, dhe me nga 19 muaj burg secilin prej të pandehurve të  tjerë të procesit: Sotiraq Vito, Mahmut Barziu, Astrit Graceni, Luan Gjika dhe  Selman Mici.
Personat e lartpërmendur u arrestuan vitin e kaluar, gjatë një operacioni të organizuar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Ata akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime të kundraligjshme për pajisjen e individëve të ndryshëm me kredi bankare pranë një banke të nivelit të dytë, duke përdorur dokumente me të dhëna të rreme.
(a.s/News24/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›