E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, festohet 100 vjetori i shkollës “Naim Frashëri”

Është festuar në qytetin e Elbasanit, 100 vjetori i shkollës “Naim Frasheri”. E para shkollë fillore shqipe është përkujtuar gjatë një ceremonie të organizuar në ambientet e këtij institucioni. 

ELBASAN - Është festuar në qytetin e Elbasanit  100 vjetori i shkollës “Naim Frashëri”. E para shkollë fillore shqipe është  përkujtuar gjatë një ceremonie të organizuar në ambientet e këtij institucioni. Sesionin Jubilar me rastin e kësaj ditë për shkollën Naim Frashëri e ka çelur kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, si një nga organizatorët kryesor të këtij aktiviteti me mbështetjen e institucionit që ai drejton.
Ndërsa drejtori i shkollës, Arjan Papleka, e cilësoi ditën e sotme “një ditë të veçantë për qytetin e Elbasanit, i cili njihet si qytet arsimdashës në vite”. Më pas të pranishmit në këtë ceremoni vizituan ambientet e shkollës si dhe muzeun, ku janë ekspozuar të gjitha fotografitë e figurave të arsimit elbasanas, të cilët kanë dalë pikërisht nga kjo shkollë. Shkolla “Naim Frashëri” në Elbasan, e para shkollë fillore shqipe në këtë rajon, u çel në fillim të gushtit të vitit 1908, me iniciativën e Fejzullah Guranjakut, veprimtar i arsimit, si dhe “Mësues i Popullit” shkollë e cila mban dhe emrin e një prej figurave më të njohura në letërsinë shqiptare.
Në këtë shkollë kanë marrë mësimet e para personalitete të shquara, që nga drejtues të lartë të fushave të ndryshme, akademikë, mësues, inspektorë arsimi  të cilët mbajnë titullin e lartë “Mësues i Popullit” ndër të cilët Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi, Kolë Popa, Kolë Paparisto etj. Në fund të simpozimumit nxënësit e shkollës “Naim Frashëri” organizuan një aktivitet, “ Krenarë mbajmë emrin tënd”, ku fëmijët e shkollës nëpërmjet këngëve të tyre përcollën gjithë punën e palodhur  nga kjo ndërtesë e dijes.
(a.s/News24/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›