E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD diskuton pr/ligjin për drejtësinë

Në mbledhjen e sotme me dyer të mbyllura Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka diskutuar rreth projektligjit për drejtësinë. Përfaqësues të “Euralius” thanë se gjatë hartimit të projektligjit nuk është marrë mendimi i tyre. 

TIRANË - Këshilli i Lartë i Drejtësisë diskutoi sot me dyer të mbyllura rreth projektligjit të  përgatitur nga Ministria e Drejtësisë për administratën e gjyqësorit. Burime pranë KLD-së, bënë të ditur se, gjatë kësaj mbledhje ku ishin edhe ekspertë të huaj, janë shfaqur opsione rreth projektligjit shumë të debatuar. Mësohet se përfaqësues të “Euralius” dhe misionit Evropian të Asistencës për Sistemin e Drejtësisë kanë deklaruar se gjatë hartimit të projektligjit nuk është marrë mendimi i tyre. Ekspertët sugjeruan gjithashtu që funksionimi i administratës gjyqësore të mos rregullohet me një ligj i posatshëm, por të jetë një shtesë e ligjit për funksionimin e gjyqësorit.
Mbledhja e sotme e KLD, e cila u zhvillua pa praninë e medias, vjen pas asaj të së hënës, kur anëtarët e Këshillit u njohën me qëndrimin e kryetarëve të Gjykatave në rrethe, të cilët ndanë mendime të kundërta me ministrin e Drejtësisë sidomos  për sa i takon rolit të kancelarit në Gjykatë si dhe çështjen e buxhetit të saj.
KLD do të dërgojë ditët në vijim në Komisionin e Ligjeve pranë Kuvendit të Shqipërisë raportin përkatës me opsionet dhe rekomandimet për projektligjin mbi administratën e gjyqësorit.
(a.s/News24/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›