E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Apelit rrëzon kërkesën e Aldo Bares për liri

Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e kreut të Bandës së Lushnjës për të dalë nga burgu. Avokati Vladimir Meçi kishte kundërshtuar vendimin e gjyqtarit të vetëm, Klodian Kurushi, që klienti i tij duhet të qëndronte në qeli deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor. Por argumentet e avokatit nuk u janë dukur bindëse anëtarëve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda që rrëzuan kërkesën e Aldo Bares për të dalë nga burgu duke përfituar nga gabimet procedurale të drejtësisë shqiptare. Disa ditë më parë, avokati Vladimir Meçi, krahas kërkesës për shuarjen e masës së sigurisë, apeloi vendimin e gjyqtarit Klodian Kurushi, që Bare duhet të qëndrojë në burg. Sipas avokatit Vladimir Meçi, është në kundërshtim me ligjin që, megjithëse dosja është në gjyq, masa e sigurisë të vlerësohet nga një gjyqtar i vetëm. "Gjyqtari i vetëm, Klodian Kurushi, nuk ka qenë gjyqtari kompetent për të realizuar verifikimin e kushteve të zbatimit të masës në kushtet kur çështja në ngarkim të Aldo Bares ishte në gjykim dhe faza e hetimeve paraprake ishte kapërcyer", thuhej në kërkesën e Bares drejtuar Gjykatës së Apelit. Në rastin objekt gjykimi, thotë avokati, gjyqtari Klodian Kurushi nuk mund të bënte asnjë veprim procedural, pasi ai nuk ishte kompetent për ta bërë një gjë të tillë dhe nuk mund të gjykohej nga gjyqtari i vetëm edhe për faktin se në fazën e gjykimit çështja gjykohet me trup gjykues dhe jo me gjyqtar të vetëm. Por, Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e avokatit, duke i dhënë të drejtë Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›