Investimet, Berisha takon përfaqësuesin egjiptian
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me sekretarin e përgjithshëm të Fondit Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik, Samah M. Sotouhi. Në takim, Berisha falënderoi qeverinë egjiptiane, kryesisht në ofrimin e një numri të madh bursash trajnimi për rreth 2000 specialistë të administratës publike. Po kështu, Kryeministri theksoi rëndësinë që qeveria i jep thellimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, nëpërmjet realizimit të projekteve të përbashkët. Ndërsa nga ana e tij, Sotouhi shprehu mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe takimet shumë të frytshme që ka zhvilluar me disa ministra të qeverisë gjatë kësaj vizite. Po kështu, ai i ritheksoi Berishës se qeveria egjiptiane është e gatshme të mbështesë me financime dhe për këtë do të mirëpriste çdo propozim për projekte konkrete që mund të paraqiteshin pranë Fondit Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se është e një rëndësie parësore rritja e numrit të investimeve private dhe bizneseve egjiptiane në vendin tonë.