E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia zhgënjen investitorët për borxhet

Bursa e Athinës humbi 1.2 për qind dje në mëngjes pasi investitorët dolën të zhgënjyer nga masat e premtuara nga Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, të hënën në darkë në lidhje me reduktimin e deficitit buxhetor dhe stokut të borxhit. Papandreu premtoi luftë të pamëshirshme kundër korrupsionit dhe kontroll të rreptë në shpenzime. Deklarata e tij u publikua pas mbylljes së tregjeve financiare për të mos shkaktuar panik, por vëzhguesit patën shpresuar për masa më konkrete në shkurtimin e shpenzimeve dhe dolën të zhgënjyer. Papandreu tha se do t‘i kërkojë opozitës politike të mbështesin fushatën e tij, një hap ky i konsideruar shumë i pazakontë në skenën politike të Greqisë.

Zhgënjimi i tregjeve u shpreh menjëherë te diferenca e interesave mes titujve të borxhit dhjetëvjeçar që emetohen nga Greqia dhe ato që emetohen nga Gjermania. Dje, titujt e borxhit të Greqisë qenë 2.55 për qind më të larta se ato të Gjermanisë.

Papandreu u tha sindikalistëve dhe grupeve të biznesit se punonjësit e sektorit publik do të marrin rritje reale page, pra rritje page më të lartë se inflacioni vitin e ardhshëm dhe kjo do të kryhet pavarësisht situatës së keqe financiare.

"Është e lehtë të ulësh pagat dhe pensionet për të përmirësuar treguesit ekonomikë", tha ai. "Por ajo që ne do të bëjmë është të ndërmarrim ndryshime radikale afatgjata për të përmirësuar situatën tonë fiskale".

Mes duartrokitjeve të forta, ai njoftoi se do të vendosë një taksë të jashtëzakonshme prej 90 përqindësh për bonuset që përfitojnë zyrtarët e lartë të bankave private, si dhe ndalimin e shpërndarjes së bonuseve për korporatat nën pronësi publike. Por pavarësisht kësaj, sindikatat njoftuan se do të organizojnë një grevë prej njëzetekatër orësh ditën e enjte për të protestuar ndaj politikave ekonomike të qeverisë. Papandreu pritet të përballet me kritika të ashpra nga kampi i tij i majtë, pasi vendosi të mos lejojë rritjen e pagave të sektorit publik që janë më të larta se 2 mijë euro në muaj dhe për uljen e dietave në masën 10 për qind, pavarësisht se për punëtorët me paga të ulëta u premtua rritje pagash.

Partitë e së majtës ekstreme dhe Partia Komuniste kritikuan planin e qeverisë për të shkurtuar deficitin buxhetor, duke argumentuar se një masë e tillë është e gabuar për sa kohë vendi gjendet ende në recesion. Ekonomia greke pritet të ulet me 1.3 për qind këtë vit dhe me 0.3 për qind më 2010.

"Dietat janë pjesë bazë e pagave dhe nuk mund të ulen", kundërshtoi Spyros Papaspyrou, kreu i Sindikatës së të Punësuarve në sektorin publik. Vëzhguesit e tregjeve u zhgënjyen edhe për faktin se masat e premtuara përqendrohen në reforma strukturore, të cilat ndoshta dështojnë dhe jo në masa konkrete për shkurtimin e shpenzimeve, gjë që e kanë kërkuar edhe partnerët europianë. "Reformat strukturore duan shumë kohë që të japin efekt ndërsa tregu i borxhit publik nuk mund të presë kaq gjatë", tha Jason Manolopulos, menaxher i një fondi investimesh me bazë në Gjenevë. "Këto masa nuk do të mjaftojnë".

Papandreu përsëriti premtimin që i pati dhënë edhe udhëheqësve të Bashkimit Europian, për të ulur deficitin buxhetor nga 12.7 për qind këtë vit në më pak se 3 për qind në vitin 2013. Plani i tij është që Greqia të realizojë një deficit prej 4 përqindësh të Prodhimit të Brendshëm Bruto vitin e ardhshëm përmes "një fushate për uljen e shpenzimeve të panevojshme". Ai dha një listë të gjatë masash për uljen e shpenzimeve dhe reduktimin e korrupsionit, nga ndalimi i punësimeve të reja në sektorin publik te lufta kundër kontrabandës së karburanteve dhe blerjes së pronave në Greqi nga kompani të regjistruara në parajsat fiskale. Sipas tij, masat për të shpëtuar nga falimenti sistemin e pensioneve do të miratohen në Parlament në qershorin e ardhshëm. Analistët thanë se deklarata e Kryeministrit ishte më e detajuar nga sa pritej. Ata mendojnë se Papandreu është dorëzuar para presioneve të populistëve brenda partisë së vet. Borxhi publik pritet të rritet në 135 për qind të PBB-së vitin e ardhshëm. Kostoja e sigurimit të borxhit publik të Greqisë kundrejt falimentit mbërriti në 18 mijë dollarë për çdo 10 milionë dollarë të borxhit pesëvjeçar. Investitorët në bursën e Athinës dukej se i kishin shitur bondet greke para fjalimit të Kryeministrit. Greqia nuk është e vetmja mes vendeve të Eurozonës që po vuajnë financiarisht. Irlanda vendosi javën e kaluar masa të paprecedenta për uljen e pagave të sektorit publik dhe pagesave të papunësisë ndërsa Spanja premtoi 4 për qind reduktim të shpenzimeve në vitin 2010, për shkak të shumëfishimit të presioneve nga tregu i bondeve.

"Dritarja e mundësive tona po zvogëlohet shumë shpejt", tha Janis Sturnaras, profesor i ekonomiksit në Universitetin e Athinës dhe ish-këshilltar në Ministrinë e Financave. "Vendet e tjera në telashe kanë marrë sakaq masa. Nëse nuk veprojmë shpejt, atëherë tregjet do të na detyrojnë të përshtatemi me krizën dhe kjo rrugë do të jetë shumë e dhunshme", shtoi ai. Greqia ka humbur pikë në vlerësimin e situatës së saj financiare nga Fitch dhe është paralajmëruar për vlerësim negativ edhe nga "Standard & Poor‘s". "Moody‘s" do të vizitojë Athinën këtë javë. Greqia shpreson se do të mund të tërheqë 50 miliardë euro borxh të vi në 2010 përveç 60 miliardëve që tërhoqi këtë vit.

Komisioneri për çështje ekonomike dhe monetare i BE-së, Joaquin Almunia tha të hënën se Greqia nuk mund të presë shpëtim nga kontinenti. "Nëse Greqia nuk merr masat e nevojshme për të kapërcyer problemet e veta, Eurozona nuk do të jetë në gjendje t‘i marrë këto masa për llogari të Greqisë", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›