E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gafa e Topit, dekreton zgjedhjet të mërkurën, Presidenca tërheq dekretin

Në uebsaitin zyrtar të Presidencës, pasditen e djeshme ishte shfaqur dekretimi që presidenti Bamir Topi kishte bërë për caktimin e datës së zgjedhjeve në Komunën Ballagat, qarku Fier. Gjëja që të binde në sy në këtë dekretim, ishte kundërshtia me datën dhe ditën e zgjedhjeve. Në dekret lexohej se zgjedhjet në këtë Komunë do të zhvilloheshin ditën e diel 29 Korrik 2009, por sipas kalendarit, data 29 korrik është e mërkurë. Një fakt i tillë ka vënë në kundërshtim vet presidencën, e cila në orët e pasdites ka hequr nga uebsajti zyrtar këtë dekret, i cili rezultoi i pranishëm jo shumë kohë. Kundërshtia qëndronte tek data dhe dita, që presidenti kishte vendosur për zhvillimin e zgjedhjeve, të cilat nuk përputheshin me njëra- tjetrën, pasi në dekretin e firmosur nga Topi, thuhej se zgjedhjet do të zhvillohen ditën e diel më datë 29 korrik 2009. Por në fakt data 29 nuk është e diel por e mërkurë. Gabimi mund të ketë qenë edhe teknik, dhe mesa duket është kapur menjëherë nga vet përgjegjësit e shpërndarjes së këtij dekreti dhe është hequr nga faqja zyrtare e Presidencës. Ndërkohë që po ditën e djeshme, Presidenca ka vendosur të tërheqë dekretin për zgjedhjet e pjesshme vendore duke shqyrtuar një datë tjetër që pritet të shpallet gjatë 24 orëve të ardhshme. Lajmin e bënë të ditur burime zyrtare nga Presidenca e Republikës, të cilët theksuan se është tërhequr dekreti i ditës së djeshme, 17 qershor 2009 dhe brenda ditës së sotme, do të shpallet një dekret tjetër. Në këtë lajmërim shkruhej ekzaktësisht se presidenti Topi dekreton caktimin e datës së zgjedhjeve në Komunën Ballagat, Qarku Fier. Në mbështetje të neneve 92, shkronja gj dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 10, paragrafi 3 të ligjit nr. 10 019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, ka dekretuar Nenin 1, zgjedhjet në Komunën Ballagat, Qarku Fier, të zhvillohen ditën e diel, më datë 29 korrik 2009. Neni 2, ky dekret hyn në fuqi menjëherë, Nr. Dekretit 6211.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›