Gjykata e Lartë- Ardian Hoxhës: Arratisja e Kumbaros s`ka lidhje me procedurat ligjore
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj me anë të një deklarate për mediat ka hedhur poshtë akuzat e djalit të Remzi Hoxhës biznesmenit kosovar, Ardian Hoxha, për çështjen me të pandehur Ilir Kumbaro i akuzuar për zhdukjen në bashkëpunim të biznesmenit shqiptaro-maqedonas. Becaj theksoi se gjykata ka respektuar ligjet e kushtetutës dhe se nuk ka vonuar qëllimisht zbardhjen e vendimit.
Ardian Hoxha, djalit i të ndjerit, Remzi Hoxha akuzoi kryetaren e Gjykatës së lartë Shpresa Becaj se vonoi zbardhjen e vendimit për Kumbaron, duke i lënë kohë këtij të fundit të arratisej nga Britania duke bërë të pamundur kështu ekstradimin e tij në Shqipëri.
Gjykata e Lartë, sqaron sërish opinionin publik, mbas qëndrimit të mbajtur prej saj në datën 13.12.2011 pranë agjensisë së lajmeve Balkan Insight, se pasoja e ardhur, arratia e shtetasit Ilir Kumbaro, nuk ka asnjë lidhje shkakësore me procedurat ligjore dhe administrative të detyrueshme që kanë të bëjnë me çështjen në fjalë. Vendimi i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda Nr 5 datë 05.01.2010 i cili vendosi lënien në fuqi të vendimit Nr.154, datë 15.12.2009 të Gjykatës së Shkallës së Pare të Krimeve të Rënda në lidhje me masën së sigurisë arrest në burg për shtetasin Ilir Kumbaro, objekt shqyrtimi në Kolegjet e Bashkuara, është vendim i formës së prerë. Ekzekutimi i ketij vendimi nuk është pezulluar nga ana e Gjykates se Larte.
Ndaj pretendimeve të Ardian Hoxhës për hetim të Becajt e Kolegjeve, kryetarja e Gjykatës së Lartë thekson shkurt se Gjykata e Lartë dhe anëtarët e saj në shqyrtimin e kësaj çështjeje dhe dhënien e këtij vendimi, kanë zbatuar me përpikmëri vetëm Kushtetutën dhe ligjin.