E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë: “Nuk tundohemi para presioneve, ne dimë të japim vetëm drejtësi”

Kryetarja e Gjykatës së Lartë vendosi dje të sqarojë pozicionin e gjykatës që drejton

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Lartë është shprehur dje nëpërmjet një deklarate se nuk do t’i nënshtrohet asnjë presioni, qoftë ky nga politika apo media. Duke pranuar edhe faktin se në radhët e gjyqësorit ekziston fenomeni i korrupsionit, ky, sipas Gjykatës së Lartë, nuk duhet të përbëjë argument që njerëz të veshur me pushtet të bëjnë akuza të padrejta, përsa kohë organet e specializuara punojnë për plotësimin e detyrës së tyre në luftë kundër korrupsionit. Gjykata e Lartë fton gjithkënd të denoncojnë pikërisht në organet e Drejtësisë fenomenet e korrupsionit dhe të injektojnë në publik idenë se janë pikërisht këto organe që i japin përgjigje këtij fenomeni. “Qytetarët shqiptarë duhet ta gjejnë zgjidhjen tek Drejtësia dhe jo tek sekserët”, - thuhet në deklaratën e Gjykatës së Lartë.
Deklarata
Vendimet e Gjykatës së lartë, thuhet në deklaratë, janë të bazuara në ligj, ky institucion ka integritet të plotë, imunitet dhe garanci kushtetuese dhe ligjore, të cilat mundësojnë organizimin dhe funksionimin sipas standardeve të avancuara.
Kjo deklaratë mban firmën e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. “Transparenca e veprimtarisë gjyqësore na detyron të dalim para opinionit të gjerë publik të qartësojmë misionin kushtetues dhe ligjor të drejtësisë në vendin tonë. Në krye të pushtetit gjyqësor qëndron Gjykata e Lartë, si shkalla më e lartë e sistemit gjyqësor për dhënien e drejtësisë dhe si gjykatë ligji që ka në kompetence të vendosë përfundimisht për ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave të apelit e të rretheve gjyqësore, duke vlerësuar respektimin ose zbatimin e keq të ligjit gjate marrjes së vendimeve dhe shkeljet procedurale që kanë ndikuar në dhënien e këtyre vendimeve. Ajo ka gjithashtu kompetencën kushtetuese për interpretimin e ligjit në dhënien e drejtësisë nga gjykatat e shkallëve më të ulëta të pushtetit gjyqësor”,- thuhej në deklaratën e kryetares së Gjykatës së Lartë.
Pavarësia
Ajo deklaron më tej se Gjykata e Larte ka pavarësi të plotë në dhënien e vendimeve, autoritet e integritet të lartë, imunitet dhe garanci kushtetuese e ligjore, të cilat mundësojnë organizimin dhe funksionimin e saj sipas standardeve të avancuara të një shteti demokratik e juridik. Për shqyrtimin dhe zgjidhjen e morisë së rekurseve kundër vendimeve të dy shkallëve më të ulëta të pushtetit gjyqësor, Gjykata e Larte shprehet vetëm me vendime të arsyetuara dhe të argumentuara, që në tërësinë e përmbajtjes së tyre përcaktojnë bazueshmërinë në ligj të veprimtarisë së saj. “Është i njohur fakti se në radhët e gjyqësorit të sotëm është prezent fenomeni i korrupsionit. Organet e specializuara të ngarkuara me ligj për zbulimin dhe goditjen e këtij fenomeni punojnë në mënyrë konstante për plotësimin e detyrës së tyre, por mediat, analistët, njerëzit e veshur me pushtet politik apo shtetëror, krahas domosdoshmërisë së denoncimit me fakte dhe prova të fenomenit korrupsion në gjyqësor, duhet që në mënyrë po kaq konstante të injektojnë në opinionin publik idenë se çdo problem, i madh apo i vogël, që është shtruar për zgjidhje në organet e drejtësisë, zgjidhjen e drejtë dhe ligjore do ta gjejë në gjykatë”, - thuhej në deklaratë. Më tej vazhdohej duke kërkuar që të gjithë faktorët politik, shoqëror dhe ligjor duhet të kontribuojnë me forcë dhe vendosmëri për evidentimin dhe goditjen e këtyre spekulanteve, jashtë dhe brenda drejtësisë, duhet të punojnë pandërprerë në drejtimin e ndryshimit të një mentaliteti të gabuar e tepër të dëmshëm që ekziston sot, se atë që të takon apo pretendon se të është mohuar, mund ta fitosh lehtë nëpërmjet korruptimit të gjyqtareve dhe prokurorëve të veçante. Sipas saj Gjykata e Lartë shpreh angazhimin e hapur publik se pavarësinë dhe kompetencat e pushtetit gjyqësor që burojnë nga Kushtetuta dhe ligji do t’i vërë gjithmonë në themel të zgjidhjeve ligjore, objektive dhe profesionale të çështjeve që janë në juridiksionin e saj. Presionet e çfarëdollojshme që ushtrohen mbi Gjykatën e Lartë nuk mund të lëkundin qëndrimin e saj të vendosur për zbatimin e ligjit gjatë procesit vendimmarrës gjyqësor.

Box
Administrimi i çështjeve që paraqiten në Gjykatën e Lartë
Dosja e çështjes qysh në momentin e ardhjes në Gjykatën e Lartë regjistrohet nga punonjësit e Zyrës së Regjistrimit në sistemin përkatës dhe sapo hidhen të dhënat (informacioni mbi çështjen, baza ligjore, palët ndërgjyqësore, vendimet e mëparshme të dhëna nga gjykatat, etj.) sistemi i vendos çështjes automatikisht një numër dhe ia cakton këtë çështje gjyqtarit përkatës në mënyrë të menjëhershme dhe të rastësishme, pra duke realizuar që në këtë moment shortin e pare (dhomë këshillimi). Ky short është elektronik dhe nuk mund të bëhen modifikime apo ndërhyrje në të, po ashtu nuk mund të llogaritet gjyqtari të cilit do t’i bjerë për shqyrtim një çështje e caktuar. Në rastin kur gjyqtari dhe ndihmësi ligjor përkatës paraqesin kërkesë me shkrim sipas ligjit për heqje dore nga kjo çështje, bëhet përsëri shorti elektronik në mënyrë të menjëhershme dhe të rastësishme nga sistemi. Procedura e mësipërme zbatohet edhe për çështjet civile që kalojnë për gjykim. Me marrjen e vendimit nga trupi gjykues në dhomë këshillimi kryhet shorti dytë elektronik. Dosjet me vendimin përkatës të kolegjit seleksionues, ndihmësi ligjor ia kalon Sektorit të Regjistrimit kur çështja kalon për gjykim dhe Sektorit të Sekretarisë, kur është vendosur mospranimi i rekursit (që të kryhen procedurat e nevojshme për kthimin e dosjes). Në qoftë se është vendosur mospranimi i çështjes dosja i kthehet gjykatës përkatëse.

Boc

Depozitimi i REKURS-it penal dhe civil
REKURS-i për çështjet civile depozitohet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin, në afatin prej 30 ditësh nga njoftimi që u është bërë palëve. Rekursi i komunikohet palës tjetër. Sekretaria e gjykatës përcjell zyrtarisht pranë sekretarisë së Gjykatës së Lartë dosjen përkatëse, së bashku me dokumentet që janë depozituar, të cilat nevojiten për ushtrimin e rekursit(neni 476 K.Pr.C.). Nuk pranohet depozitimi i akteve dhe dokumenteve që nuk janë paraqitur në shkallën e mëparshme të gjykimit, përveç atyre që kanë të bëjnë me vendimin e ankimuar dhe pranimin e rekursit, ose të kundër-rekursit. Depozitimi i dokumenteve si më sipër duhet t’i njoftohet palëve të tjera (neni 478 K.Pr.C.). REKURS-i për çështjet penale duhet të paraqitet me shkrim brenda 30 ditëve nga data që vendimi ka marrë formën e prerë. Ai duhet të përmbajë tregimin e saktë të shkaqeve të paligjshme të vendimit. Akti i rekursit dhe pretendimet duhet të nënshkruhen nga mbrojtësit. Kur i pandehuri nuk ka mbrojtës të zgjedhur kryetari i kolegjit cakton një mbrojtës kryesisht duke bërë lajmërimin.

21 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›