E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë; Sot hidhet shorti për caktimin e gjyqtarëve të dosjes “Durrës-Kukës”

Gjykata e Lartë vendos sot për dosjen penale të rrugës Durrës-Kukës, në ngarkim të ish-ministrit të Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm, Lulzim Basha. Gjyqtari relatues dhe kolegji prej pesë gjyqtarësh që do ta gjykojë do të caktohet ditën e sotme përmes shortit elektronik. Ndërkohë që sipas burimeve nga organi qendror i akuzës, po sot pritet që prokurori i çështjes, Arben Kraja, të depozitojë në Gjykatën e Tiranës kërkesën për përjashtim të gjyqtares Fatmira Hajdari nga gjykimi i kërkesës së Lulzim Bashës për pavlefshmëri të akteve procedurale, njoftimit të akuzës dhe fletëthirrjes. Prokurori Kraja kërkoi ndërprerjen e shqyrtimit të kërkesës dhe deklaroi se kërkonte përjashtim e gjyqtares Hajdari si e njëanshme gjatë gjykimit të kërkesës. Pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme bëri dorëzimin e dosjes së Bashës në Gjykatën e Lartë, ashtu sikundër kishte paralajmëruar se para datës 6 dhjetor do përfundonte dorëzimin e dosjes. Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Tiranës, organi qendror i akuzës, i dërgoi fashikujt në sekretarinë e Gjykatës së Lartë, me argumentin se Basha është deputet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›