E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgjet dorëzojnë në Presidencë listën me emrat e të dënuarve për faljet e fundvitit

Burgjet dorëzojnë në Presidencë emrat e dënuarve që ata mendojnë se plotësojnë kriteret për falje apo ulje dënimi. Pas shkresës së mbërritur pak javë më parë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ku nga Presidenca kërkohej përgatitja e një liste të gjatë me emrat e të dënuarve që përfitojnë ulje apo falje dënimi në bazë të kritereve të dërguara prej tyre. Kjo listë përfundoi dhe u dorëzua nga drejtuesit e burgjeve në vend në zyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, i cili e ka përcjellë këtë listë për në Presidencë. Përveç listës me emrat e personave të propozuar për falje apo ulje dënimi, drejtuesit e burgjeve në vend kanë dërguar një dosje të plotë me dokumentacionin e kërkuar, përfshi edhe karakteristikat dhe kohën e vuajtur deri tani nga çdo i dënuar. Tashmë lista me emrat është në Presidencë, dhe pas një seleksionimi, javën e fundit të këtij muaji, ndoshta për Krishtlindje, pritet që nga Presidenca të dalë lista e plotë me emrat e dekretuar për falje dënimi ose ulje të tij. Por, sipas burimeve, në listën e personave që do dekretohen për falje apo ulje dënimi për festat e fundvitit nuk do të përfshihen vetëm të dënuarit që kanë ardhur nga lista e burgjeve, por edhe ata që kanë dorëzuar drejtpërdrejt dokumentet në Presidencë. Lista e përfituesve nga këto festa pritet të jetë e gjatë, për shkak edhe të mospërfituesve nga viti i kaluar.

Dokumentacioni

Janë një sërë dokumentesh, ndryshe nga ato të viteve të kaluara, të cilat nisin me kërkesën për falje nënshkruar nga i dënuari ose familjarët e tij drejtuar Presidentit të Republikës. Në këtë kërkesë duhet të jepen domosdoshmërish të dhëna lidhur me veprën penale për të cilën është dënuar personi, numrin dhe datën e vendimit gjyqësor, gjykatën që e ka dhënë vendimin, dënimin e dhënë ndaj tij nga gjykata, datën e arrestimit, masën e dënimit të vuajtur deri në atë moment, si dhe dënimin e mbetur, gjendjen familjare, shëndetësore të të dënuarit dhe arsyen pse kërkohet falja. Ligji nuk përjashton asnjë të dënuar, pavarësisht nga lloji i veprës penale për të cilën është dënuar, që të kërkojë nga Presidenti i Republikës faljen e dënimit ose zëvendësimin e tij. Një tjetër kërkesë është vendimi gjyqësor i formës së prerë lidhur me dënimin e tij (vendimi i gjykatës së rrethit, ku pasqyrohen të gjitha ndryshimet që ka pësuar ky vendim në shkallë të ndryshme të gjyqësorit). Përveç kësaj, kërkohet certifikatë lindjeje dhe certifikatë familjare e të dënuarit. Dhe dokumenti tjetër ka të bëjë me dëshminë e penalitetit të të dënuarit. Dokumentacioni i lartpërmendur duhet të jetë origjinal ose fotokopje e noterizuar, si dhe të niset zyrtarisht nga propozuesi dhe jo nga i dënuari apo familjaret e tij, pasi në të kundërt nuk do të konsiderohet i vlefshëm për çeljen e procedurave të faljes dhe Drejtoria Juridike dhe e Koordinimit pranë Institucionit të Presidentit të Republikës do t’ia kthejë dokumentet dërguesit, me qëllim që të nisen zyrtarisht nga propozuesi. Vërtetimet (të dhënat) mbi kohën e vuajtjes së dënimit, institucionin e vuajtjes së dënimit, për të dënuarit që vuajnë dënimin nëpër burgje dhe të dhëna të ngjashme merren nga Institucioni i Presidentit të Republikës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Gjithashtu, edhe të dhënat mbi sjelljen e të dënuarve në burgje, gjendjen e tyre shëndetësore ose gjendjen ekonomike dhe familjare të të dënuarit, merren zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit tek institucionet përkatëse dhe nuk janë dokumente të detyrueshme, që i kërkohet personit që e ka bërë kërkesën, për ta sjellë bashkë me kërkesën në Institucionin e Presidencës. Nuk ekziston një formular standard për bërjen e kërkesës, kërkesa do të bëhet nga i dënuari ose të afërmit e tij dhe duhet të përmbushë kërkesat e mësipërme dhe duhet të dërgohet në Institucionin e Presidentit të Republikës nga propozuesi bashkë me dokumentet e tjera. E drejta e faljes është një e drejtë vetëm e Presidentit të Republikës, një e drejtë kushtetuese e parashikuar nga neni 92/b i Kushtetutës dhe e normuar nga neni 70 i Kodit Penal, ligji nr. 6299, datë 27.03.1981 “Për faljet”, ndryshuar me ligjin nr. 7682, datë 09.03.1993. Ligji parashikon një procedurë të caktuar për t’iu drejtuar Presidentit të Republikës me kërkesë për falje të dënimit. Sipas nenit 2 të ligjit nr. 6299, datë 27.03.1981, ndryshuar me nenin 1 të ligjit nr. 7682, datë 09.03.1993 kanë të drejtë t’i bëjnë Presidentit të Republikës propozim për falje me iniciativën e tyre ose me kërkesën e të dënuarit apo të pjesëtarëve të familjes së tij, Këshilli i Ministrave, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, organet qendrore të organizatave joqeveritare, organet përfaqësuese ose ekzekutive të pushtetit vendor (komuna dhe bashki), gjykatat, prokuroritë, organet e rendit publik.

Somario

Përveç listës me emrat e personave të propozuar për falje apo ulje dënimi, drejtuesit e burgjeve në vend kanë dërguar një dosje të plotë me dokumentacionin e kërkuar nga Presidenca

Në listën e personave që do dekretohen për falje apo ulje dënimi për festat e fundvitit, nuk do të përfshihen vetëm të dënuarit që kanë ardhur nga lista e burgjeve, por edhe ata që kanë dorëzuar drejtpërdrejt dokumentet në Presidencë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›