Tetë Dhjetori i ‘90-ës, shtegu prej nga u derdh liria.
Për fat të keq, në Shqipërinë tonë pak kohë në histori liria është ndier mirë, e shprehur ndryshe, vendi ynë i ka rezervuar aq pak hapësirë dhe kohë kësaj materieje sa pak popuj në botë. Duke qenë në një pozitë kyçe gjeografikisht, ne kemi shërbyer si arenë luftërash dhe jemi zotëruar prej pothuaj të gjithë atyre që na kanë synuar. Liria ka mundur të mbijetojë dhe të zhvillohet në njëfarë mënyre vetëm nëpër malet e Veriut e ndonjëherë edhe në ato të Jugut të Shqipërisë. Por edhe në ato hapësira e kushtëzuar, asnjëherë e mundshme t’i shpalosë të gjitha vlerat që burojnë prej saj. Periudha e komunizmit që kaloi Shqipërisë, i fshiu të gjitha ato lara dielli ku kishte mundur të shndriste ndonjë rreze lirie, si thoshte Mjeda i madh në fillim të shekullit të njëzetë. Kohë kur si asnjëherë tjetër më parë në historinë tonë kombëtare shpërtheu një ortek lirie ku frymëzuesit dhe bartësit e saj ishin burra që rrallëherë kanë mundur t’i përsëriten më gjithë atë madhështi vendit tonë. Atë pak liri që kishin mundur ta mbillnin ata burra dhe ajo kohë, komunizmi dhe shërbyesit e saj e zhbinë. Vrasja e lirisë në pjesën e dytë të shekullit u shoqërua edhe me varfërimin ekstrem të popullsisë. Mungesa e bukës së përditshme për veten dhe për familjen e vullnetarizonte dorëzimin e lirisë në duart e njerëzve më të pashpirt, njerëz që diktatura i kishte vënë nëpër postet kyçe ku ruhej liria e dorëzuar herë në mënyrë vullnetare e herë më mjetet e dhunës që disponoheshin me shumicë, provat për ata që kishin tentuar apo tentonin ta përdornin lirinë në favor të vetës së tyre, të familjeve të tyre apo të komuniteteve më të mëdha se interesat vetjake kishin rezultuar tragjike. Statistikat e Shqipërisë janë rrëqethëse dhe të pakrahasueshme me vendet e tjera të Lindjes ku diktaturat e majta e ushtruan pushtetin e tyre pas Luftës së Dytë. Këto ishin arsye të mjaftueshme që liria të vonohej dhe të vinte e fundit në vendin e shqiponjave (kështu na kanë thirrur dhe na thërrasin edhe sot disa prej vendeve të lira të Perëndimit). Shqiponja që kishin humbur lirinë, çfarë absurdi! (A mund ta konceptojë një njeri i lirë se si ndihet një shqiponjë me liri të humbur! Në çfarë sikleti do të ndihej një zoolog apo një anatomopatolog për të shpjeguar procesin e humbjes së lirisë brenda shpendit që është simbol i pushtimit të hapësirave dhe i krenarisë?!). Kjo do të ishte pjesë e një eseje të pafund, por realiteti i gjysmës së dytë të shekullit 20 ka qenë i paperceptueshëm për 20-vjetarët e sotshëm. Liria e kishte humbur kuptimin e vet gjuhësor. Për gati dy breza liria ishte e dhunuar në Amerikë dhe në të gjitha vendet “kapitaliste revizioniste”. Atje shtypeshin punëtorët, lejoheshin të kishin makina dhe shtëpi private të shkonin në për institucione fetare për t’u “droguar” me opium. Të rinjtë pinin Koka-Kola dhe kjo ishte pija që pillte degjenerimin masiv të saj në botë, jo si të rinjtë tanë që pinin raki frutash me turshi dhe tejkalonin normën çdo ditë. Realiteti i zymtë i fundviteve ‘90 në Shqipëri ishte pak a shumë ky, njerëzit e lirë po shtoheshin si orteku i fillimshekullit, në të gjitha vendet e Lindjes kishin shpërthyer revolucionet dhe po instaloheshin demokracitë e reja të modeluara dhe të provuara ne Perëndimin e ëndërruar.
Shqipëria ishte më e vonuara pikërisht se ia kishin ngujuar lirinë në shtatëqind dryna. Lëvizja Studentore e Dhjetorit ‘90 do ta risillte lirinë edhe në Shqipëri. Lëvizja më paqësore e shqiptarëve në historinë e vjetër dhe të re të saj. Duke qenë e tillë, produkti i saj i parë ishte liria. Studentët dhe qytetarët e Tiranës dhe më pas të gjithë Shqipërisë, e rikthyen vendin me fytyrë nga Perëndimi, ua rikthyen bashkëqytetarëve të tyre lirinë e vjedhur dhe të ngujuar. Sot, pas 18 vitesh, është e papërfytyrueshme mungesa e lirisë, e të gjitha lirive: e asaj politike, fetare, ekonomike, akademike, kulturore dhe artistike. Siç është i vërtetë ky konstatim i parë, është po kaq i vërtetë edhe deformimi dhe përdorimi negativ i lirisë i të gjitha derivateve të saj. Lirinë nuk e meritojnë të gjithë qytetarët e një kombi, sado i zhvilluar të jetë ai, po të ishte ndryshe, ai (kombi) më i zhvilluar s’do të kishte ndërtuar burgje, as gjykata, as polici, asnjë prej organeve që vënë nën kontroll përdoruesit e lirisë negative. Ne, kombi ynë, edhe pse kemi tetëmbëdhjetë vite që ecim në rrugën e lirisë dhe të demokracisë, akoma vuajmë nga sindroma e pamjaftueshmërisë së saj, e ngujimit dhe vrasjes së saj. Përdoruesit e lirisë negative, për fat të keq, akoma vazhdojnë të jenë shumë, aq sa jo në pak raste ia zbehin vlerat përdoruesve të lirisë pozitive, aq sa shumë njerëz vazhdojnë verbërisht të besojnë në filozofinë e diktaturave e veçmas asaj që kaluam në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Përdoruesit e lirisë negative, për fat të keq, akoma edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të kenë poste kyçe në vendet ku dhunohet liria e qytetarëve dhe besimtarëve të saj të virtytshëm. Kontrollorët e lirisë nëpër institucione, veçmas në polici, prokurori, gjykata, por edhe në të gjitha institucionet e tjera të shtetit, më së pakti duhet të jenë njerëz të lirë, njerëz që s’kanë pasur për detyrë në diktaturë dhunimin e lirisë së shtetasve. Zhveshja e këtyre institucioneve nga njerëz të tillë do të ishte shërbimi më i vyer që një qeveri e ardhur në pushtet me vullnet të zgjedhësve të saj do t’u bënte atyre, zgjedhësve të saj. Gjithkush e beson që kjo nuk është një punë e lehtë. Vrasësit e djeshëm të lirisë kanë sot në demokraci njëlloj të drejte ta shijojnë për vete lirinë që ua kanë dhunuar të tjerëve dje. Demokracia si një sistem liberal ka gjetur shtigje për të gjithë dhe shembulli më tipik i demokracisë liberale është Amerika. Po të mos ishte përdorimi i “diskriminimit pozitiv” pa kurrfarë dyshimi që ky shtet i madh, kampion i lirisë dhe shpresës, nuk do të ta kishte sot President zotin Obama një afro-amerikan, që në moshën kur ka lindur nuk i lejohej të hipte në autobusët e “të bardhëve”. Ajzenhaueri u drejtohej gjermanëve pas Luftës së Dytë që “me vullnet pozitiv e pamundshmja bëhet e mundshme”. Njerëzit e lirë të këtij vendi, janë të shumtë dhe kudo duhet të bëjnë çmos që institucionin e vullnetit pozitiv ta bëjnë pjesë të jetës publike, pjesë të jetës institucionale. Vetëm kur të dominojë vullneti pozitiv nëpër institucionet e kontrollit të lirisë, ajo, liria, do t’i japë produktet e veta maksimale.
*Kryetar i grupimit “Dhjetor ‘90”