E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PD-PS synojnë gjunjëzimin e Topit

Kreu i LSI-së Ilir Meta, e konsideroi miratimin e rregullores së re të kuvendit nga dy partitë, PS-PD si mënyrë për të minimizuar edhe më tej kompetencat e Presidentit të Republikës. 

 "Ky akt i ri, dhunues ndaj Rregullores së Kuvendit, ka synim të denigrojë dhe të gjunjëzojë Presidentin e Republikës nga dy drejtuesit e dy partive të vjetra, në mënyrë që të vazhdohet dhe t'i jepen ngjyrime të forta partiake shtetit të së drejtës, për përfitime personale të dy drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste", u shpreh Meta gjatë një konference për shtyp në selinë e LSI-së. Sipas tij, "ashtu sikurse në 21 prill, kur u dhunua në mënyrë të befasishme Kushtetuta e vendit, u kaluan me votat e PD-së dhe PS-së disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, ku në veçanti neni 111, pika 7, në lidhje me dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e drejtuesve ose anëtarëve të organeve kushtetuese, është një skandal i vërtetë". Meta akuzoi krerët e dy partive të mëdha për marrëveshje, të cilat po dëmtojnë Kushtetutën. "Për fat të keq marrëveshja midis kryetarit të Partisë Demokratike, dhe kreut aktual të Partisë Socialiste vazhdon të cenojë Kushtetutën, shtetin ligjor dhe pavarësinë e organeve kushtetuese në vend", tha Meta. Duke iu referuar rregullores së re të parlamentit, Meta tha se, ajo dobëson kompetencat e Presidentit në rastet e dekreteve të tij, duke i dhënë më shumë peshë komisionit të posaçëm parlamentar.
"Këtë radhë kjo marrëveshje godet drejtpërdrejt kompetencat e Presidentit, duke i reduktuar ato dhe duke i krijuar mundësinë një komisioni parlamentar për të bllokuar dekretet e Presidentit në rast se ky komision e gjykon të arsyeshme, pa i kaluar ato në Kuvend sikurse e kërkon Kushtetuta", u shpreh Meta. Sipas tij, "vetëm seanca plenare ka të drejtë të rrëzojë apo të aprovojë dekretet e Presidentit të Republikës dhe në asnjë mënyrë këtë gjë nuk mund ta bëjë as komisioni i Ligjeve dhe as kryetarja e Kuvendit".          a.l

Luan Rama sekretar i LSI

Luan Rama u zgjodh dje Sekretar i Marrëdhënieve me Publikun. Vendimi u mor dje nga kryesia e LSI-së, e cila ka analizuar situatën politike në vend. Kryesia e kësaj partie vendosi dje që më 30 shtator të mblidhet Konventa Kombëtare e gruas së LSI-së. Rreth një vit para zgjedhjeve të përgjithshme LSI po përgatitet seriozisht për fitoren në to. Veç rifreskimit të strukturave në këtë parti shihen dhe mjaft prurje të reja. Luan Rama është një nga ish-socialistët, që nuk kanë gjetur hapësirat e duhura në PS pas ardhjes në krye të saj të Edi Ramës. Ish-ministri socialist  i rendit e pa veten jashtë të gjitha strukturave të PS pas konsolidimit të pozicionit të Ramës në krye të PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›