E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Mirit të Xhikes, dëshmon në Gjykatë Kristaq Cami



Kristaq Cami, një nga të plagosurit në ngjarjen ku mbeti i vrarë Fatmir Rama, dëshmoi dje në Gjykatën e Tiranës se nuk i identifikonte dot autorët. Dëshmia e tij u mbajt në procesin ku i pandehuri i vetëm është Lavdërim Tufa. Seanca e radhës u zhvilluar dje me dyer të mbyllura. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan për gazetën “Albania” se Cami ka rrëfyer të njëjtën dëshmi që ka dhënë disa vite më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Kësisoj, dëshmia e tij nuk ka qenë dhe aq e vlefshme për zbardhjen e ngjarjes për shkak se ai thjesht ka parë disa persona të qëllonin por nuk di të japë detaje për shkak se ekzekutorët ishin me maska.
Vrasja e Fatmir Ramës, i njohur më së shumti me emrin Miri i Xhikes, po rigjykohet sërish. Fillimisht kjo ngjarje u gjykua nga Gjykata e Krimeve të Rënda, më pas kaloi për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Pavarësisht se procesi për ngjarjen e bujshme i kushtoi shumë Drejtësisë shqiptare, vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda e detyroi institucionin e akuzës ta dërgojë edhe një herë dosjen për gjykim në një gjykatë të një niveli më të ulët për sa i përket rrezikshmërisë së veprës penale. Madje, sipas burimeve, kjo është konsideruar nga trupa gjyqësore si një prej shkeljeve të shumta procedurale që janë gjetur gjatë gjykimit të kësaj çështjeje. I arrestuar për vrasjen e bujshme në Lundër është prej vitesh Lavdërim Tufa.
Ngjarja
Në ngjarjen që ndodhi pak kilometra larg kryeqytetit mbeti i vrarë Fatmir Rama, apo Miri i Xhikes, Julian Durishti dhe u plagos Kristaq Cami. Apeli i Krimeve të Rënda vendosi katër vite pas dënimit me “burgim të përjetshëm” të Tufës, ta rikthejë çështjen për rigjykim, por kësaj radhe në Gjykatën e Tiranës. Shkak, sipas arsyetimit të vendimit të trupës gjyqësore për dhënien e këtij vendimi, kanë qenë shkelje të shumta procedurale, mes të cilave më kryesorja, moskompetenca. Sipas kësaj trupe gjykuese, i pandehuri Tufa nuk duhet të ishte gjykuar nga Krimet e Rënda, por nga Gjykata e kryeqytetit. Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje dosjen për rigjykim dhe shorti elektronik përcaktoi treshen e gjyqtarëve që do të rigjykojnë këtë çështje. Kryesuesi u përcaktua gjyqtari Albert Meçe.
Debati
Rikthimi i procesit për të zbardhur vrasjen do të vërë sërish në pikëpyetje të forta se cili apo cilët ishin autorët e krimit. Tashmë pritet sërish të nisë një debat i ashpër për një qime floku në maskën e gjetur në vendngjarje, ajo që dënoi me burgim përjetë Tufën, si një nga autorët e krimit të trefishtë. Në të njëjtën kohë pritet që ky gjyq të jetë sërish i stërzgjatur, me paraqitje provash, dëshmish dhe ADN-në e kontestuar prej mbrojtjes për qimen e flokut. Vrasja e Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes) ndodhi më 29 mars 2002, gjatë një ndeshjeje futbolli në kohën që ai ndodhej te “Kartodromi 2000”, pronë e tij, së bashku me shokët e tij, duke ndjekur një ndeshje futbolli. Nga ana e policisë, por edhe e prokurorit të çështjes, u fol për dy ekzekutorë, ndërkohë që njëri prej tyre mbetet edhe sot i pazbuluar, ndërsa personi i dytë i akuzuar, Lavdërim Tufa. Përgjatë procesit hetimor e gjyqësor, por edhe shpalljes së vendimit, Tufa dhe familjarët e tij kanë pretenduar pafajësinë.

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›