E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë e Kushtetuese,40 kandidatë aplikojnë te Topi



Presidenca mbyll procesin e paraqitjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur për gazetën se rreth 40 kandidatë kanë paraqitur CV-të e tyre për gjashtë vende në Kushtetuese dhe 2 vende që mbeten vakant në Gjykatën e Lartë. Dosjet e të gjithë gjyqtarëve do të kontrollohen nga stafi i kreut të shtetit dhe në fund do të jetë pikërisht ai që do të përzgjedhë emrat që do t'i kalojnë Kuvendit për t'i votuar. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune, jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. Në dosjet e paraqitura në Presidencë, kandidatët kanë përfshirë kopje diplome dhe listë notash; kopje të titujve shkencorë; kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda e jashtë vendit; indeksin e shkrimeve e botimeve në fushën e drejtësisë; vërtetim nga institucioni ku ka punuar, se gjatë pesë viteve të fundit nuk ka marrë masë disiplinore; dhe çdo lloj dokumenti tjetër që pasuron CV-në e kandidatit. Kreu i shtetit zgjodhi këtë procedurë, si dy vjet më parë, për të përzgjedhur tetë gjyqtarët në dy gjykatat më të rëndësishme të vendit. Në vitin 2008 Topi u gjend në vështirësi, kur pesë kandidaturat e tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë u rrëzuan me votim në bllok nga maxhoranca. Shumica parlamentare deklaroi në atë kohë se Presidenti nuk ishte konsultuar më parë lidhur me emrat që do të dërgonte në Kuvend për pëlqimin. Në një votim të dytë, Topi zgjodhi nisjen e një procesi, i ngjashëm me këtë aktualin, ku zgjodhi pesë kandidatë të tjerë, të cilët u pranuan nga maxhoranca. Ndërkohë që kreu i shtetit ka nisur procedurën e zëvendësimit të gjyqtarëve, Gjykata Kushtetuese u vu në qendër të vëmendjes dy javë më parë, kur rrëzoi me një votim të njëjtë 9-0 ligjin për pastrimin e figurave të zyrtarëve të lartë, ose thënë ndryshe, ligjin e dosjeve dhe marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Gjyqtarët që do zëvendësohen

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që u mbaron mandati
Fehmi Abdiu 27.04.2010
Kujtim Puto 01.04.2010
Xhezair Zaganjori 21.05.2010
Petrit Plloci 21.05.2010
Sokol Sadushi 27.04.1010
Admir Thanza 21.05.2010

Anëtarët e Gjykatës së Lartë që u mbaron mandati
Irma Bala 09.04.2010
Evjeni Sinoimeri 02.05.2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›