E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet Haki Miska: Si i vrava 4 vetë



LIBRAZHD / ALDO KOZARJA

Jo dy, por plot 4 vrasje janë kryer nga 50-vjeçari nga Librazhdi, Haki Miska. U desh arrestimi me akuzën e vrasjes së të ëmës 11 ditë më parë, që më në fund Miska të rrëfehej. Pak orë janë dashur që autori të hedhë dritë mbi 3 ekzekutimet e kryera 15-16 vitet e shkuara. Ka qenë një dëshmi rrëqethëse ajo e dhënë dje nga Haki Miska në prani të prokurorit të çështjes dhe të oficerëve të krimeve të rënda në drejtorinë e policisë së Elbasanit. Dëshmia e killerit që jetonte në fshatin Prevall ka zbardhur plot tre vrasje të tjera që në arkivin e policisë kishin mbetur pa autorë.
Vrasja e së shoqes
Duket se gjithçka ka nisur me dyshimet për tradhti nga ana e së shoqes, atëherë 32 vjeçe. Haki Miska, pasi pranoi ekzekutimin e saj, tregoi dhe shkaqet dhe mënyrën si e realizoi atë. "Ka qenë muaji prill i vitit 1994, kur hyra në shtëpi dhe në korridor gjeta një palë këpucë që nuk ishin të asnjë familjari. Në dhomën e gjumit, pranë krevatit gjeta gruan duke u veshur. Menjëherë i kërkova asaj shpjegime", është shprehur autori gjatë dëshmisë. "Kjo nuk ndodhi kurrë. Prita sa të binte nata dhe nisa ta rrah gruan për të më treguar të vërtetën e tradhtisë". Pas afro dy ore dhunë, Mimoza ndërron jetë si pasojë e grushteve, shkelmave dhe goditjeve të tjera me mjete rrethanore. "E mora dhe e groposa pak metra larg shtëpisë", ka deklaruar autori, i cili pavarësisht se nuk arriti kurrë të nxirrte ndonjë rrëfim nga goja e gruas, kishte dyshime se ajo kishte lidhje intime me mësuesin e fshatit, Qamil Lluka. Për Miskën, pikërisht ky person kishte harruar këpucët në shtëpinë e tij, pas tradhtisë bashkëshortore. Për 16 vite me radhë, burri e ka konsideruar para policisë gruan si të zhdukur, duke fshehur atë që kishte ndodhur, çka bëri që dhe hetuesit të mbeteshin në fazën e dyshimeve, por pa prova për fajësimin e burrit.
Ekzekutimi i mësuesit
Do të kalonte më shumë se një vit që Haki Miska të merrte hak mbi atë që e quante të dashurin e gruas. Kjo ndodhi pikërisht më 18 gusht të vitit 1995. "Ka qenë mesditë kur i kërkova Qamil Llukës të dilnim në periferi të fshatit për të diskutuar për diçka. Sapo pashë që nuk po kalonte njeri në ato momente, e kam goditur me grushte e me mjete të forta derisa e lashë të vdekur. Për të humbur gjurmët e hodha nga një pjesë malore drejt e në greminë", ka vazhduar dëshminë tragjike Miska. Në atë kohë, pas gjetjes së trupit të pajetë nga banorë të zonës, policia kreu të gjitha veprimet hetimore, duke arritur në përfundimin se Lluka, i njohur si konsumues i pijeve alkoolike, ishte rrëzuar nga lartësia aksidentalisht, duke gjetur vdekjen.
Vrasja e njerkut
Ndoshta seriali i krimeve do të ishte mbyllur me ekzekutimin për hir të tradhtisë së gruas, nëse në mes tyre nuk do të ndodhte një tjetër, po brenda familjes. Viktimë e radhës ishte njerku i Haki Miskës. Protagonistë të vrasjes, veç thjeshtrit të Gani Brukut u bë dhe gruaja e tij, Dije Miska. Kjo ngjarje, sipas policisë, bazuar në dëshminë e autorit të arrestuar dje, ndodhi më 7 korrik 1995. Së bashku me të ëmën i merr jetën Brukut, duke e qëlluar me mjete të forta. Pasi e lënë të vdekur, e vendosin trupin e kufomës poshtë një peme. Ata njoftuan policinë, duke treguar se viktima, atëherë 60 vjeç, ishte rrëzuar nga pema. Policia e ka besuar këtë fakt, duke e mbyllur çështjen që e konsideroi aksidentale. Por, vetëm dje u mësua se bëhej fjalë për një krim, i ndodhur për motive pronësie. Haki Miska, djali i shtëpisë, kërkonte që tokat dhe shtëpia ku jetonin të vendosej në hipotekë me emrin e tij. Kundërshtisë së njerkut, nënë e bir i janë përgjigjur duke e vrarë.
Masakrimi i nënës
Për herë të katërt, Haki Miska bëhet autor i një vrasjeje më 4 shkurt të këtij viti, duke ekzekutuar nënën e tij. Ngjarjet e mëparshme duket se i kishin tensionuar marrëdhëniet e tij me familjarët, veçanërisht me 70-vjeçaren Dije Miska. Dhe ajo ndërroi jetë në të njëjtën mënyrë, nga dhuna e ushtruar prej të birit me mjete të forta, pikërisht me sopatë. Nga vetë autori është mësuar se 5 vitet e fundit, ai kishte pasur konflikt me të ëmën, në lidhje me zhdukjen e bashkëshortes. E moshuara i kërkonte të birit të tregonte të vërtetën mbi fatin e Mimozës, pasi dhe familjarët e saj këmbëngulnin, duke dyshuar se mund t'i kishte ndodhur diçka.

Viktimat e Haki Miskës

Mimoza Selman Miska, gruaja e autorit, u ekzekutua prej tij në prill të vitit 1994 Gani Fejzulla Bruku, u qëllua për vdekje nga e shoqja dhe djali i saj më 7 korrik të vitit 1995 Qamil Din Lluka, me profesion mësues, u rrah për vdekje dhe u hodh në greminë më 18 gusht të vitit 1995 Dije Bruku, (Miska), nëna e autorit, u qëllua për vdekje më 4 shkurt të këtij viti. Mbeti e plagosur dhe mbesa e saj 18-vjeçare

Gjenden 300 m larg shtëpisë eshtrat e gruas

Pas 16 vitesh zbardhet misteri i fatit të Mimoza Miskës. Gruaja që humbi jetën në moshën 32-vjeçare u masakrua nga i shoqi, duke u groposur vetëm pak metra larg shtëpisë. Menjëherë pasi është zbuluar vendi ku gjendeshin eshtrat e saj, një grup hetimor ka nxituar drejt periferisë së fshatit Prevall të Librazhdit. Me të zbardhur dita e djeshme, grupet e policisë kanë nisur punën për të kërkuar mbi gjurmët e trupit të nënës së tre fëmijëve. Kërkimet u përqendruar në një zonë përreth pronës së familjes Miska. Gjatë orëve të para ka qenë tepër e vështirë identifikimi i zonës, pasi mësohet se toka kishte rrëshqitur aty herë pas here nga reshjet e shumta apo lëvizjet tektonike. Në orët e pasdites, ndërsa autori kishte rrëfyer të gjitha krimet njëri pas tjetrin, policia njoftoi për gjetjen e eshtrave, rreth 300 metër larg banesës së familjes Miska. Ato janë mbledhur nga ekspertët dhe pas ekzaminimit do të lejohen familjarët e gruas për ta varrosur dhe bërë nderet e fundit sipas zakonit. Po dje, fatin e hidhur të familjarëve të tyre kanë mësuar dhe të afërmit e Gani Brukut dhe Qamil Llukës, të cilët kanë menduar se vdekjet e tyre kishin qenë aksidentale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›