E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë fal gjyqtarët e Delijorgjit

 

Fatos Mahmutaj

Gjykatësit e “Delijorgjit” rikthehen në detyrë. Plot dy muaj pas pushimit të tyre prej KLD-së, më 28 tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë vendosi dje të rrëzonte vendimin për shkarkimin e tyre duke i kthyer sërish në vendet e tyre të punës në Apelin Ushtarak. Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara u shpall rreth orës 15:00 të pasdites së djeshme, ndërsa për tre orë me radhë, tre gjyqtarët, Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo, së bashku me avokatin e tyre mbrojtës Marash Ibraj, paraqitën para 16 togave të zeza të Gjykatës së Lartë, pretendimet e tyre për prishjen e vendimit të KLD-së që i pushoi nga detyra. Gradica, Minka dhe Pejo, gjykatës të Apelit Ushtarak, u gjetën të kishin kryer shkelje procedurale gjatë gjykimit si të komanduar, të çështjes së pafajësisë së Delijorgjit, më 27 dhjetor 2007 në Shkallën e Dytë, Durrës. Gjykata e Lartë shpalli dje vetëm dispozitivin e vendimit, ndërsa pritet që pas disa ditësh, t’iu vërë në dispozicion palëve vendimin e arsyetuar të zbardhur. Paraprakisht pohohet se gjykata argumentoi se nuk mund të nisej procedimi disiplinor ndaj gjykatësve pa u shqyrtuar vendimi “Delijorgji” nga Gjykata e Lartë. Të paktën në këtë rast, sipas gjykatës, duhej të pezullohej shkarkimi i tyre. Më tej mësohet se është argumentuar se nuk mund të paragjykoheshin dhe shkarkoheshin gjykatësit për një vendim që ende ndodhej në proces gjykimi, në Shkallën e Tretë. Avokati i tre gjyqtarëve, Marash Ibraj, i cili mori fjalën i pari, pohoi se para se të niste procedimi disiplinor ndaj tre klientëve të tij, çështja duhej gjykuar nga Gjykata e Lartë dhe jo nga KLD, e cila sipas tij nuk është kompetente të shqyrtojë të njëjtin procedim për një vendim të formës së prerë. Sipas avokatit, vendimi i KLD-së është zbardhur pas 61 ditësh, ndërsa në lidhje me çështjen “Delijorgji”, Ibraj tha se nuk kemi të bëjmë me dëm, por me një përllogaritje të gabuar të 7 doganierëve të Durrësit, të cilët u morën në përgjegjësi penale dhe në përfundim tre prej tyre u shpallën të pafajshëm. “Në asnjë rast gjyqtarët nuk kanë shkelur ligjin. KLD-ja ka gabuar kur gjykon mbi një vendim të formës së prerë. Vendimi i KLD-së është i padrejtë e i pa bazuar në ligj. Për tre gjyqtarët nuk ka asnjë ankesë nga individë apo subjekte që të ketë vënë në lëvizje inspektoratin e KLD, në këtë rast ata kanë shkelur ligjin dhe vendimet kushtetuese. KLD bën sofizma mbi dëmin ekonomik që ka shkaktuar dhënia e këtij vendimi. Motivi i shkarkimit të tyre nuk është as ligjore e as kushtetues. Secili prej tyre ka shumë vite punë si gjyqtar dhe asnjëri nuk ka marrë ndonjë vërejtje gjatë karrierës. Për këtë kërkojmë anulimin e vendimit për shkarkimin nga detyra të tyre”, përfundoi avokati. Gjykatësi Gradica tha se mendonte se vendimi për shkarkimin e tyre nuk ishte marrë për shkeljet ligjore por për motive të tjera politike. Sipas tij, nënkryetari i KLD-së ka ndikuar te anëtarët e tjerë për shkarkimin, pasi ai, para se ta propozonte këtë masë në mbledhje, e kishte deklaruar atë publikisht në media. Kurse gjykatësi Minka tha se në vendimin e KLD-së ka shumë pasaktësi. “Unë di që KLD mbron dhe jo ndëshkon gjyqtarët”, tha ai. Më tej gjykatësit pohuan se një prej tyre i kishte thënë njërit prej anëtarëve të KLD-së, gjatë mbledhjes së tetorit: “Po na vini në pozitë të vështirë me këto argumente që po jepni për motivet e shkarkimit. Po na çoni drejt paragjykimit të kësaj çështje”.

Pafajësia e dhjetorit ‘07 i hapi rrugë kontratës për “Gërdecin”

TIRANE – Pafajësia që Mihal Delijorgji mori më 27 dhjetor 2007 në Apelin e Durrësit, i hapi rrugën kontratës që shkaktoi katastrofën e Gërdecit. Vetëm 30 minuta pasi u deklarua i pafajshëm në Durrës, tashmë me dëshmi penaliteti të pastër, biznesmeni i arrestuar për tragjedinë e 15 marsit 2008, do të nënshkruante me kompaninë shtetërore MEICO, kontratën e demontimit të predhave të artilerisë në një fabrikë të sajuar në mjediset e ish-repartit ushtarak Gërdec. Shpërthimi i kësaj “fabrike” artizanale, shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e rreth 300 të tjerëve si dhe shkatërrimin e fshatit Gërdec dhe banesave të fshatrave përreth. Aktualisht Delijorgji, së bashku me drejtorin e firmës së tij, Dritan Minxolli dhe kreun e MEICO Ylli Pinari, ndodhen të paraburgosur nën akuzën e “vrasjes masive”. Problemet e Delijorgjit me drejtësinë kishin nisur prej kohësh, pas denoncimeve të Doganës së Durrësit, por do të bëheshin serioze kur prokuroria e këtij qyteti e arrestoi atë në maj 2004. Pas pak ditësh në qeli, Apeli i dha atij lirinë në këmbim të një garancie pasurore prej një milionë USD, shifër kjo rekord në drejtësinë shqiptare. Më 28 dhjetor 2006, Gjykata e Durrësit e gjeti fajtor atë për kontrabandë, nëpërmjet 26 deklaratave doganore të viteve 1999-2000, duke bërë deklarim të rremë të hekurit të importuar për ndërtim, si hekur lëndë e parë për prodhim gozhde etj,. Për këtë ai u dënua me 8 milionë lekë të reja gjobë. Po kështu, për të njëjtën vepër penale, kontrabandë, të kryer në vitin 2004, duke bërë deklarim të rremë të hekurit të importuar për ndërtim, si hekur produkt kompensues skrapit të eksportuar nën regjimin e përpunimit pasiv, Delijorgji u dënua me tre milionë lekë të reja gjobë. Ndërsa nga bashkimi i dënimeve, atij iu vendos një gjobë 10 milionë lekë dhe shpenzimet gjyqësore. Po kështu gjykata pranoi padinë civile në kuadër të këtij procesi penal, duke detyruar shoqërinë e Delijorgjit, “Përparimi” për të dëmshpërblyer Doganën e Durrësit me 122.668.851 lekë. Po kjo gjykatë i dha pafajësi Delijorgjit për falsifikim të formularëve doganorë. Shqyrtimi i kërkesave të shumta penale dhe civile të Delijorgjit nga Apeli i Durrësit bëri që gjykatësit të kishin pengesa ligjore për gjykimin e tij, duke detyruar KLD-në që të komandonte në këtë institucion tre gjykatësit e Apelit Ushtarak; Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo. Këta, më 27 dhjetor 2007, vendosën t’i jepnin pafajësi Delijorgjit për akuzën penale, duke e pushuar atë, ndërsa duke vazhduar në këtë linjë argumentuan rrëzimin e padisë civile të Doganës kundër “Përparimit”. Në të dyja gjykatat, prokuroria kishte kërkuar dënimin e Mihal Delijorgjit, ndërsa tashmë çështja është dërguar në Gjykatën e Lartë, ku ndodhet në pritje të gjykimit.                          fa.ma.

KLD: Flasim pasi të zbardhet vendimi
TIRANE – “KLD nuk do të shprehet derisa të njihet me vendimin e zbardhur të Kolegjeve të Bashkuara, pasi ende nuk dihen shkaqet dhe arsyet”. Ky ishte pohimi i djeshëm i KLD-së, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për kthimin në punë të tre gjykatësve, që i dhanë pafajësinë Delijorgjit. Në vendimin e shkarkimit të tyre, KLD-ja argumentoi se mbi bazën e një ankese të bërë publike nga mediat, inspektorati i KLD-së kontrolloi dosjen “Delijorgji” dhe pas evidentimit të shkeljeve, Ministri i Drejtësisë kërkoi procedimin disiplinor të gjykatësve, të cilët u shkarkuan më pas. Biznesmeni, tashmë i burgosur për Gërdecin, Mihal Delijorgji ishte marrë në përgjegjësi penale për “falsifikim të formularëve”, si dhe “kontrabandë”. Në procesin e gjykuar nga Gradica, Minka dhe Pejo, veç pafajësisë penale, për Delijorgjin është vendosur rrëzimi i padisë civile të Doganës Durrës kundër shoqërisë tregtare “Përparimi”, me objekt detyrimin për dëmshpërblimin e 122 milionë lekëve të reja. Pikërisht në këtë arsyetim është mbështetur KLD-ja, kur ka pohuar se është evidentuar shkelje të ligjit procedural penal nga gjyqtarët Gradica, Minka dhe Pejo, e në mënyrë të veçantë të nenit 68, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas kësaj dispozite, kur ndaj të pandehurit vendoset pushimi i çështjes penale, padia civile në procesin penal lihet e pashqyrtuar. KLD argumentoi më tej se rrëzimi i padisë civile, në një proces penal, në përfundim të të cilit është vendosur pushimi i çështjes penale në ngarkim të të pandehurit, vjen në kundërshtim të hapur me ligjin dhe në të njëjtën kohë ka sjellë pasoja të rënda për shtetin shqiptar, duke i hequr mundësinë e pretendimit para një gjykate, të shpërblimit të dëmit të konsiderueshëm prej 122 milionë lekësh.           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›