E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushërinjtë e Bollanos, akuza për terror në Athinë

 

Dy shqiptarë kanë marrë pjesë në grupet anarkiste, që shkaktuan atentatin ndaj policit në Athinë. At e bir nga Himara janë cilësuar nga mediat greke se janë të afërm të kryebashkiakut të këtij qyteti Vasil Bollano.  Sipas burimeve të agjencive greke bëhet i ditur emri i Ari Bollanos, i cili bashkë me të atin u ndaluan pas hetimeve të kryera nga Prokuroria greke, si pjesë e grupeve të personave që provokuan protestat e dhunshme në kryeqytetin helen, më e fundit sulmi ndaj punonjësve të policisë. Rreth 1 muaj nga nisja e valës anarkiste e shkatërruese në Athinë dhe vetëm pak ditë nga plagosja e një punonjësi të policisë greke, 10 persona u arrestuan, në lagjen “Eksarqia”. Duke iu referuar mediave nga shteti fqinj mësohet prej tyre, 5 i përkasin forcave të majta politike në Greqi, ndërsa 5 të tjerët akuzohen se bëjnë pjesë në bandat e krijuara për të shkaktuar trazira e pasiguri në shtetin anëtar të Bashkimit Evropian. Mësohet se të 10 të dyshuarit janë marrë në pyetje për 3 ditë me radhë në Prokurorinë e Athinës, ku vetëm dje është bërë i ditur se mes tyre ndodhen dhe dy shqiptarë. “Shtetasi shqiptar Ari Bollano nga Himara dhe babai i tij kanë lidhje familjare me një drejtues pushteti në një zonë në jug të Shqipërisë”, pohohet në agjencitë e lajmeve. Ndërsa citohet policia greke, shkruhet se Ari Bollano akuzohet për përfshirje në vjedhje të ndryshme në Athinë, si dhe është identifikuar si një ndër personat pjesëmarrës në aktet e fundit të dhunshme në Athinë. Pa e deklaruar publikisht se cili ka qenë pozicioni i Bollanos në këto protesta, që përfshinë qytetet kryesore të Greqisë, Prokuroria helene ka çuar dosjen e dy shqiptarëve në gjykata. Megjithë dyshimet se dy himarjotët kishin lidhje të elementë apo grupe terroriste, në gjykatë ndaj tyre janë ngritur akuza për vepra të tjera penale, por nuk është lënë në fuqi zyrtarisht ajo e implikimit në bandat me synim aktet terroriste. Akuzat e ngritura ndaj 5 personave, mes të cilëve dy shqiptarët janë: “armëmbajtje dhe përdorim të materialeve ushtarake pa leje”, “shkatërrim të pronës private”, “kundërshtim me forcë të punonjësve të rendi”, etj. Për këto akuza ata nuk janë mbajtur në burg, por janë lënë të lirë, me kusht që çdo dy muaj të paraqiten në rajonin e policisë. Sipas vendimit të gjykatës, asnjë prej tyre nuk ka të drejtë të lërë territorin grek, pasi hetimet po vazhdojnë. Pas lënies së lirë të këtyre personave kanë reaguar forcat e opozitës dhe mediat mbështetëse të tyre, sipas të cilave qeveria dhe shërbimet policore po dështojnë sërish për të zbardhur autorët e ngjarjes së rëndë. Një punonjës policie mbeti i plagosur rëndë, pasi u qëllua me armë zjarri nga persona, që ende nuk janë identifikuar plotësisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›