E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë i heq burgun trafikantit

 

Trazhgim Sokolaj

Gjykata e Lartë i heq dënimin 13 vjet burg biznesmenit të vendosur në pranga në një prej arrestimeve më të bujshme të viteve të fundit në Shqipëri. Me një vendim të shpallur pak ditë më parë, organi më i lartë i gjyqësorit ka vendosur që të kthejë çështjen për rigjykim, duke shfuqizuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit të Krimeve të Rënda, për dënimin e biznesmenit Rasim Shira me 13 vjet burg. Ai u shpall fajtor dhe u dënua nga dy Gjykatat e Krimeve të Rënda me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, pasi në një nga kamionët e kompanisë së tij “Shira Import-Export” u trafikuan nga Turqia në drejtim të Shqipërisë, 92 kilogramë heroinë. Bllokimi i ngarkesës me drogë nga policia turke, ndërkohë që mjeti i transportit ndodhej mes Turqisë dhe Bullgarisë, u bë shkak për zbulimin e krejt linjës së trafikut të narkotikëve. Policia turke filloi hetimet dhe më pas lajmëroi palën shqiptare se kompania që zotëronte maunen ku u gjet droga ishte në pronësi të një biznesmeni nga Tirana. Më pas hetimet zbuluan implikimin e Rasim Shirës në organizimin, financimin dhe drejtimin e veprimeve për trafikimin e ngarkesës prej 92 kilogramë heroinë nga Turqia në drejtim të Shqipërisë.
“Falja” nga gjykata
Dënimi i dhënë nga Gjykatat e Krimeve të Rënda për 13 vjet heqje lirie ndaj Rasim Shirës, është apeluar nga avokati i tij derisa çështja shkoi në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit, sipas Prokurorisë, duket se ka gjetur një argument të diskutueshëm për ta rikthyer çështjen në rigjykim. Organi i akuzës e konsideron të pamotivuar ligjërisht vendimin e Gjykatës së Lartë për rigjykimin e dosjes penale ndaj Rasim Shirës. Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë ka theksuar se çështja duhet të rikthehet për gjykim në Shkallën e Parë, duke marrë parasysh përsëritjen e procedurës së marrjes në pyetje të personave që kanë dhënë dëshmi në Turqi lidhur me sasinë e drogës që Rasim Shira u akuzua se kishte trafikuar. Ai nuk e pranoi akuzën asnjëherë, duke pohuar se arrestimi i tij me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve ishte një sulm i pastër politik.

Gjykata, të ripyeten dëshmitarët në Turqi

TIRANE – Gjykata e Lartë në vendimin e saj për të hequr dënimin me 13 vjet burg ndaj Rasim Shirës dhe për ta rikthyer në gjykim dosjen penale ndaj tij, është shprehur se tre persona të pyetur si dëshmitarë në Turqi, duhet të ripyeten duke zbatuar procedurat. Pas kapjes së drogës në vitin 2005 në kamionin e kompanisë së Rasim Shirës, policia turke filloi hetimet duke marrë në pyetje tre personat që kishin marrë pjesë në ngarkimin dhe paketimin e konfeksioneve që u gjetën në kamion. Prokuroria turke i pyeti tre personat, ndërsa më pas dëshminë e tyre e dërgoi me letërporosi në Shqipëri, për shkak se pronari i drogës qëndronte në Tiranë, ku edhe do të ndiqej penalisht. Gjykata turke me kërkesë të Prokurorisë i thirri dëshmitarët, por ata nuk u paraqitën. Më pas gjykata turke i kërkoi policisë verifikimin e dëshmitarëve në vendbanimet e tyre për t’i çuar me forcë në gjyq, por ata nuk u gjetën. Në këto kushte, duke ndjekur një procedurë që njeh edhe ligji shqiptar, Prokuroria turke dërgoi dëshmitë e punëtorëve të dhëna gjatë hetimeve paraprake. Por dëshmi të tilla, edhe pse janë njohur me qindra herë nga Gjykata e Lartë dhe gjykatat e tjera shqiptare, kësaj here nuk janë konsideruar të rregullta nga Gjykata e Lartë.

Si u kap droga në Ipsala në Turqisë

TIRANE – Ngarkesa e heroinës për të cilën është akuzuar Rasim Shira u bllokua në një nga maunet e kompanisë së tij “Shira Import Export” në 13 dhjetor të vitit 2003. Gjatë kontrollit të ushtruar në maune, policia kufitare turke në bazë të sinjalizimeve të saj ushtroi verifikime të hollësishme, nga të cilat zbuloi 92 kilogramë heroinë në maunen e mbushur me konfeksione, e cila ishte drejtuar për në Shqipëri. Hetimet më pas arritën të zbulojnë se mjeti i transportit, me targa TR 7865 B ku u gjet ngarkesa e lëndës narkotike ishte në pronësi të kompanisë së tregtimit të konfeksioneve, president i së cilës ishte Rasim Shira. Rreth dy vjet pas kapjes së heroinës në maunen e tij, pala turke dërgoi letërporosi në Shqipëri, pasi nga dëshmitë e mbledhura atje rezultoi se pronari i ngarkesës me drogë ishte person me aktivitet biznesi në Tiranë. Në dosjen që mbërriti në kryeqytetin shqiptar ndodheshin edhe deklarimet e dhëna nga tre shtetas turq, që kishin marrë pjesë në momentet e ngarkesës së maunes me konfeksione. Ata dëshmuan se droga ishte vendosur në maune në 174 pako me letër natribani. Qeset u bllokuan gjatë kontrollit nga policia, ndërsa më pas gjatë peshimit rezultoi se bëhej fjalë për 92 kilogramë heroinë të pastër, e cila ishte fshehur në ngarkesën me konfeksione që ishte nisur në drejtim të Tiranës. Pas mbërritjes së letër-porosisë dhe kompletimit të dosjes me provat e nevojshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi urdhër-arrestin ndaj Rasim Shirës, i cili ra në pranga teksa pyetej në organin e akuzës lidhur me drogën e gjetur në maunen e tij.                              tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›