Ndahet nga jeta ambasadori Vladimir Prela
U nda dje nga jeta Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Vladimir Prela. Ai humbi jetën në shtëpinë e tij në Tiranë pas një ataku kardiak. Prela shërbeu si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë që prej vitit 2003. “Ndarja e parakohshme e tij nga jeta ishte një humbje e madhe jo vetëm për familjen, të afërmit dhe miqtë e tij, por edhe për diplomacinë shqiptare” ”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme, e cila i shprehu dje ngushëllimet familjes së ambasadorit. Prela lindi në 30 korrik 1949. Ai kreu studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë. Gjatë karrierës së tij, Prela ka ushtruar disa funksione të larta shtetërore si drejtor i kabinetit të Kryeministrit, këshilltar i Presidentit të Republikës, i ngarkuar me Punë në Kosovë dhe së fundmi, atë të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë. Gjithashtu, Ministria e Jashtme bëri të ditur se sot në orën 14.00 në ambientet e saj, do të zhvillohen homazhet për nder të Ambasadorit.