E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incest, mësuesi kushëri me vajzën

 

PESHKOPI / HASAN PASHA

Mësuesi i akuzuar për përdhunimin e një të miture e kishte 14-vjeçaren jo vetëm nxënëse, por dhe kushërirë. Ky fakt u zbulua nga grupi hetimor gjatë marrjes në pyetje të 50-vjeçarit Gëzim Çela. Në asnjë çast ai nuk e ka pranuar akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me nxënësen e klasës së tetë, duke deklaruar se ngjarja është e sajuar dhe akuzat janë ngritur nga njerëz që e kanë inat atë. “Më kanë inat ndaj kanë sajuar sikur unë paskam përdhunuar nxënësen time”, ka deklaruar në pohimet e tij mësuesi i arrestuar mbrëmjen e së enjtes. Ndërkohë nuk ka dhënë asnjë detaj kush ishin personat që e kishin inat atë dhe për çfarë arsyesh është akuzuar për përdhunimin e vajzës së mitur. Grupi hetimor ka marrë dje në pyetje dhe njerëzit e afërm të nxënëses së klasës së tetë. Madje, po dje është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes. Vajza që denoncoi mësuesin kujdestar, e shoqëruar nga një psikolog i kontaktuar nga policia, ka treguar klasën ku mësuesi kreu aktin e turpshëm. Ajo ka treguar se 3-4 ditë pas ngjarjes së rëndë, e cila ishte përhapur në fshat që më 27 janar të këtij viti, nuk ka vajtur në shkollë. Prindërit dhe të afërmit nuk kanë dashur ta besojnë ngjarjen e rëndë, ndaj kanë imponuar vajzën të frekuentojë shkollën, me shpresë se vajzës nuk i kishte ndodhur gjë dhe nuk do t’i ndodhte as në të ardhmen. Burime informacioni pranë komisariatit të Bulqizës pohuan dje për gazetën “Panorama” që mësuesi i akuzuar, se kishte përdhunuar nxënësen 14-vjeçare e kishte të ëmën e tij vajzë tezeje. Madje, ata banonin nën një strehë, në një ish-magazinë. “Banonin në një çati, si mësuesi që vinte çdo javë nga Tirana në fshatin e thellë dhe familja e vajzës së përdhunuar. Familja e vajzës banonte të katin e parë të objektit të braktisur dhe mësuesi në katin e dytë. Mësuesi dhe familja e vajzës nuk hynin nga e njëjta derë, por marrëdhëniet e tyre ishin normale, për faktin se mësuesi e kishte të tijën nënën e vajzës së mitur”. Policia nuk jep detaje rreth fakteve që ka grumbulluar për ngjarjen e rëndë, por në lidhje me vonesën e denoncimit të kryer nga vajza, burime të rezervuara sqarojnë se shkaku kryesor për ta denoncuar në kohën e duhur mësuesin maniak ishte mungesa e të ardhurave financiare dhe kërcënimet e tij. Pikërisht ditën që nëna e vajzës ka tërhequr pensionin, familja e vajzës u ka telefonuar dajave të saj ku u ka treguar gjithçka. Në kohë rekord nusja e dajës së F.S-së është nisur nga Durrësi dhe ka bërë denoncimin në komisariatin e Bulqizës, ndërkohë një ditë më vonë vajza e shoqëruar nga babai dhe nusja e dajës kanë mbërritur në Drejtorinë e Policisë Qarkut Dibër ku kanë bërë denoncimin e mësuesit. Sipas policisë janë siguruar provat e mjaftueshme se mësuesi e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe se ai herë pas here e ngacmonte seksualisht vajzën e mitur.

Bulqizë, zyra Arsimore: Presim fjalën e drejtësisë

BULQIZE - Drejtori i Zyrës Arsimore Bulqizë, Agim Tuçi tha se kishte komunikuar me kryetarin e komunës dhe drejtorin e shkollës Klenjë dhe kishte mësuar më shumë rreth ngjarjes së rëndë, ku një mësues akuzohet se ka përdhunuar nxënësen e tij. “Kam marrë informacion nga kryetari i komunës dhe drejtori i shkollës për ngjarjen në fjalë dhe arrestimin nga policia të mësuesit Gëzim Çela. Ngjarja më ka shqetësuar maksimalisht. Në tre vjet punë si drejtor i Zyrës Arsimore Bulqizë, me më shumë se 6800 nxënës, nuk kemi pasur asnjë rast tjetër të ngjashëm. Unë nuk kam marrë asnjë masë administrative. Jam në pritje të përfundimit të hetimeve. Nëse faktohet veprimi i mësuesit Zyra Arsimore Bulqizë do të vendosë largimin e tij nga detyra”, pohoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›