Poni: Deri më tani 707.491 shtetas kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik

Numri i shtetasve shqiptarë që kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, një dokument i rëndësishëm për zgjedhjet e 28 qershorit dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve në vendet e BE-së, ka arritur në 707.491, mbi 280 mijë prej të cilëve janë pa pasaportë. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinant Poni deklaroi sot për mediat se "numri i aplikimeve ditën e djeshme shënoi shifrën 17 mijë të tilla". Sipas Ponit, numri i letërnjoftimeve të prodhuara deri tani arrin në 540.290. Në zyrat e aplikimit janë shpërndarë 515.525, prej të cilave janë tërhequr nga qytetarët 278.103 copë. Proçesi i aplikimit për letërnjoftimin elektronik, theksoi Poni, sot funksionon normalisht në 322 zyra aplikimi në të gjithë vendin, ndërsa numri i stacioneve të aplikimit është 468. "Nëse procesi do të vijojë në këto parametra, pasi ekzistojnë të gjitha kapacitetet, pajisja e shtetasve, ku përparësi kanë ata pa pasaportë, do të bëhet e mundur brenda muajit maj", tha Poni. Nisur edhe nga vendimi nr. 366, datë 15.04.2009 i qeverisë, që lehtëson në këtë proces kategoritë me pensione minimale, ata të fshatit, studentët, personat me aftësi të kufizuar, etj, Poni informoi se "të gjitha institucionet shtetërore, zyrat e ndihmës sociale, komunave, fakultetet, etj, janë pajisur me kuponat për aplikim dhe kanë filluar shpërndarjen e tyre". Po kaq të rëndësishme, ai vlerësoi dhe proçesin e pajisjes së shtetasve me pasaportë biometrike. Sipas Ponit, pas Tiranës, ku ka nisur, proçesi është në përgatitjet e fundit për t'u shtrirë së shpejti në të gjithë vendin.
"Nga 3000 aplikime të kryera nga qytetarët e Tiranës, janë prodhuar mbi 2000 pasaporta, të cilat do të shpërndahen në Drejtorinë e Qarkut të Tiranës për t’u shpërndarë në të gjitha komisariatet në një rrjet shpërndarjesh shumë më të shtrirë se ai ekzistuesi", tha Poni.
...