Çelja e sezoni turistik në Vlorë, 150 parashutistë protagonist të një spektakli festiv

Të paktën 150 parashutistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës do të bëhen protagonistë të një spektakli festiv në Vlorë, në 9 maj, ditë që do të shënojë dhe çeljen e sezonit të ri turistik në këtë qytet bregdetar. "Fluturimet sportive të garës “Albania open” do të zhvillohen për tre ditë për të përfunduar në 9 maj, kur do të shpallen dhe sportistët më të mirë", tha drejtori i koordinim- zhvillimit dhe turizmit në bashkinë e Vlorës, Ilir Meta. Parashutistët do të fluturojnë nga lartësi të ndryshme në kodrat që qarkojnë qytetin deri në Qafën e Llogorasë. Gara e fluturimeve sportive “Albania open” është shndërruar tashmë në një traditë që mbyllet në ditën e çeljes së sezonit turistik në qytetin e Vlorës, si një nga aktivitetet e shumta të planifikuara për këtë ditë. Krahas saj, programi përfshin veprimtari të ndryshme sportive, kulturore e artistike, në të cilat do të angazhohen qindra sportistë, artistë, nxënës të të gjitha niveleve në shkollat publike dhe jopublike të qytetit, etj. Për herë të parë këtë vit, në ditën e çeljes së sezonit turistik në 9 maj, nis Festivali Folklorik Ndërkombëtar "Aulona Folk International”, ku do të marrin pjesë 9 grupe folklorike nga vende të ndryshme të Evropës, mes të cilëve, Italia, Turqia, Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi, Kosova etj. Dita e çeljes së sezonit turistik konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme për promovimin e resurseve turistike në bregdetin e Vlorës, ku një vit më parë pushuan më shumë se 220 mijë persona nga Shqipëria dhe turistë të huaj.
...