E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë jep vendimin: Ilir Meta i pafajshëm. Kreu i LSI: Drejtësia fitoi mbi fabrikimin - shteti ligjor do luftojë krimin e organizuar

16-01-2012 / Gazeta 55

"Pafajësi për Ilir Metën". Gjykata e Lartë dha vendimin për video-përgjimin “Meta-Prifti”, duke pushuar gjykimin ndaj kësaj çështje dhe duke nxjerrë të pafajshëm, ish-zëvendëskryeministrin, Ilir Meta, pas një procesi që ka zgjatur rreth 6 muaj. 


Pesë gjyqtarët Ardian Dvorani, Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Guxim Zenelaj dhe Ardiana Fullani në unanimitet kanë vendosur për pafajësinë e ish-zv/kryeministrit lidhur me akuzën e korrupsionit aktiv. Kolegji Penal në leximin e vendimit tha se fakti nuk provohet që të ketë ekzistuar, prandaj Ilir Meta shpallet i pafajshëm. Nisur nga akuzat e Dritan Priftit ndaj Metës Prokuroria kishte kërkuar dënimin fajtor të ish-zv/kryeministrit me 2 vite burg dhe 1 milion lekë gjobë si dhe pagimin e shpenzimeve procedurale. Ndërkohë sipas vendimit të gjykatës së Lartë të dhënë këtë të hënë, shpenzimet e procesit gjyqësor do t’i paguajë shteti shqiptar. Bëhet fjalë për 30 milionë lekë të reja, ku përfshihen edhe pagesa për ekspertët (shqiptarë dhe të huaj) që verifikuan video-përgjimin. Përfaqësuesi i LSI-së Spartak Braho u shpreh për mediat pas dhënies së vendimit se komedia tani mbaroi. Vendimi i Gjykatës së Lartë për video-përgjimin Meta Prifti, është përfundimtar pasi prokuroria nuk mund ta apelojë vendimin e Gjykatws supreme.


Ora 12:30, Meta: Pres vendimin e Gjykatës në zyrën time – drejtësia do shprehë të vërtetën

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta pret në zyrën e tij, verdiktin e Gjykatës së Lartë, për cështjen e video-përgjimit të Dritan Priftit. Gjykata pritet të shprehet pas pak minutash nëse ai është fajtor apo jo, për akuzën e korrupsionit aktiv dhe abuzimit me detyrën. Akuza ndaj ish-zv/kryeministrit Ilir Meta u ngrit pas publikimit të video-përgjimit të realizuar nga ish ministri i Energjetikës Dritan Prifti në zyrën e këtij të fundit më 1 mars 2010. Në seancën e kaluar prokuroria kërkoi dënimin me 2 vjet burg dhe 1 milionë lekë gjobë, ndaj Ilir Metës, pasi sipas saj, provat vërtetojnë implikimin e Ilir Metës në afera korruptive. Nga ana tjetër, avokatët e z.Meta, i cilësuan veprimet e organit të akuzës si tendencioze dhe të varura nga ndikimi politik i Partisë Socialiste. Ndërsa proçesi përmbylli fazën e konluzioneve përfundimtare të Prokurorisë si dhe avokatëve mbrojtës, tashmë mbetet vetëm dhënia e verdiktit nga gjykata.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›