Kosovë, dialogu për liberalizimin e vizave nis më 19 janar

Kosova nis dialogun për liberalizimin e vizave me BE-në më 19 janar të këtij viti, ditën kur komisionerja evropiane për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmstrom pritet ta vizitojë Kosovën. Ministri Bajram Rexhepi thotë se do të diskutohet rreth kushteve për marrjen e udhërrëfyesit, për të cilën shprehet optimist se do të ndodhë deri në fund të vitit. Analistja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus ka thënë për Radio Europën e Lirë se tani është koha më e përshtatshme për fillimin e dialogut. “Tani mendoj se është koha e duhur për fillimin e këtij dialogu dhe shpresoj se në fund të këtij muaji, dialogu për liberalizim të vizave po fillon”, ka thënë Knaus, duke shtuar se procesi pritet të jetë i gjatë. Analistja Knaus, ndër të tjera i ka bëtë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëjë më shumë zhurmë sa i përket çështjes së zhvillimit ekonomik dhe ngritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve, në mënyrë që Kosova të përfitojë sa më shpejt liberalizimin e vizave. Ndërkohë, Komisarja evropiane, Cecilia Malmstrom pritet të qëndrojë deri më 20 janar në Prishtinë. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka bërë të ditur për Express se gjatë kësaj kohe do të diskutohet për kushtet të cilat Kosova duhet t’i plotësojë për ta marrë udhërrëfyesin nga BE-ja. “Po njëherë do të diskutohet rreth kushteve të cilat duhet plotësuar deri në marrjen e udhërrëfyesit, do të caktohen katër pikat, të cilat do t’i vendosë BE-ja për ne”, ka thënë Rexhepi, duke u shprehur optimist se deri në fund të këtij viti, Kosova do ta marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. “Kjo është ajo çfarë presim nga ky dialog dhe jemi shumë optimistë se deri në fund të këtij viti do ta gëzojmë atë të drejtë”, ka thënë Ministri Rexhepi, pa dhënë ndonjë datë konkrete se kur Kosova do të mund ta marrë udhërrëfyesin. Sipas tij, gjithçka varet prej procesit të dialogut, i cili do të zhvillohet me BE-në. Vitin e kaluar, Shqipëria fitoi të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza. Pas kësaj, Kosova ka mbetur si shteti i vetëm në Evropë nën regjimin e vizave.
...