E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Larte ka rikthyer ne burg gardistin Sadik ela

 Gjykata e Lartë ka rikthyer në burg Sadik Çelën, një prej katër gardistëve të dyshuar nga Prokuroria për vrasjet e 21 janarit gjatë demonstratës përpara godinës së Kryeministrisë.

Gjashtë muaj pasi gardisti Çela u lirua në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit, një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë prishi këtë vendim. Gjykata e Lartë vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, datë 2 mars 2010 dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, të datës 11 shkurt, konfirmuan burime zyrtare të Gjykatës së Lartë.

Në seancën e djeshme, Kolegji është shprehur vetëm me dispozitiv, ndërsa në ditët në vazhdim, me zbardhjen e vendimit do të mësohen arsyet që bindën Kolegjin për prishjen e vendimit të Apelit.

Vetë Çela do të duhet të qëndrojë edhe për ditët e mbetura të afatit arrest me burg të vendosur nga Gjykata e kryeqytetit.

Pas arrestimit, Gjykata e Shkallës së Parë caktoi ndaj tij, më 11 shkurt të këtij viti, masën e sigurisë arrest me burg me afat 30- ditor. Ende pa përfunduar ky afat qëndrimi, në 2 mars, Çela la qelinë pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, që shfuqizoi Shkallën e Parë.

Pas ekzekutimit të vendimit të shpallur dje nga Gjykata e Lartë, numri i gardistëve që duhet të qëndrojnë në qeli për llogari të hetimeve të demonstratës së 21 janarit shkon në dy. Gardisti i vetëm që nuk u lirua nga paraburgimi ishte Agim Llupo.

Një akt ekspertimi tekniko-balistik i predhave pas ngjarjes provonte se predha e gjetur në trupin e viktimës Ziver Veizi ishte qitur nga arma, që më 21 janar është mbajtur nga gardisti Llupo.

Demonstrata e dhunshme, e zhvilluar para godinës së Kryeministrisë më 21 janar të këtij viti, u mbyll me katër të vdekur, një prej të cilëve, Aleks Nika, ndërroi jetë disa ditë më vonë në Turqi.

Janë gjendur tri predha në trupat e viktimave, përkatësisht tek Ziver Veizi, Faik Myrta dhe Aleks Nika, ndërsa tek viktima Hekuran Deda nuk ka predhë në trup, pasi ka pasur plagë tejshpuese, thuhej në materialet e Prokurorisë në lidhje me ngjarjen.

Prokuroria etiketoi si grupi i zjarrit gardistët Agim Llupo, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli dhe Sadik Çela, ndaj të cilëve po zhvillohen hetime

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›