E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Disiplines ne Federaten Shqiptare te Futbollit denon klubet

Nuk mund të thuhet se shuplaka nuk është e rëndë, në të kundërt. Disa dënime të ashpra u dhanë nga Komisioni i Disiplinës në FSHF për klube, lojtarë dhe trajnerë, në përfundim të fundjavës kombëtare të këtij sporti.

Kampionia e vendit, Skënderbeu do të duhet të paguajë 300 000 lekë gjobë për shkak të hedhjeve të sendeve të forta në fushë nga ana e tifozëve. Ky nuk është veçse ndëshkimi financiar i radhës pasi klubi korçar ka pasur gjobitje me shumicë këtë sezon, në Champions, Superkupë dhe kampionat.

Gjoba tjetër është për Apoloninë e Fierit, tifozët e së cilës hodhën sende të forta me shumicë në fushën e lojës dhe në pistë, në ndeshjen e barazuar 1-1 ndaj Laçit në “Loni Papuçiu”. Fierakët do të duhet të paguajnë edhe më shumë, plot 700 000 lekë.

Por, telashet nuk përfundojnë këtu, pasi edhe trajneri i Apolonisë, Stavri Nica, ka marrë një pezullim prej 3 muajsh si dhe një gjobë prej 300 000 lekësh. Kjo, pasi FSHF e gjeti fajtor për akuza të pavërteta, siç thotë ajo, ndaj zyrtarëve të saj.

Në Superligë kemi edhe një ndëshkim tjetër për javën e kaluar. Fusha e Tomorit të Beratit është dënuar me 4 ndeshje për të qenë pa tifozë për shkak të hedhjes së sendeve të forta, madje edhe shisheve të qelqit, në ndeshjen në Lushnjë ndaj Dinamos. Beratasit janë gjobitur edhe me 300 000 lekë. Pogradeci ka humbur për 1 vit zv.trajnerin Papa për sjelljen e tij në ndeshjen ndaj Tiranës në “Qemal Stafa”. Papa do të duhet të paguajë edhe 200 000 lekë.

Ndërkaq, klubi i kategorisë së dytë, Vlora, u ndëshkua për moszhvillimin e ndeshjes së Kupës ndaj Dinamos. Disiplina ia dha ndeshjen 3-0 në tavolinë bluve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›