E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë nuk pranon rekurs për 200 dosje



Laureta Rryci

Tiranë - Gjykata e Lartë nuk pranon rekurs për 200 dosje penale. Burime zyrtare pranë kësaj gjykate pohuan dje për gazetën “Albania” se gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, mes numrit të madh të dosjeve që kanë mbërritur për rigjykim ka pasur edhe rrëzim kërkese. Gazeta ka mundur të marrë dosjet për të cilat nuk është pranuar të gjykohen dhe po i publikon në numrin e sotëm. Të gjitha janë dosje penale dhe janë gjykuar nga gjykata të ndryshme të vendit. Ndër to nuk mungojnë edhe personazhet e njohura që u gjykuan nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Rekurs-i
Rekurs-i për çështjet penale duhet të paraqitet me shkrim brenda 30 ditëve nga data që vendimi ka marrë formën e prerë. Ai duhet të përmbajë tregimin e saktë të shkaqeve të paligjshme të vendimit. Akti i rekursit dhe pretendimet duhet të nënshkruhen nga mbrojtësit. Kur i pandehuri nuk ka mbrojtës të zgjedhur kryetari i kolegjit cakton një mbrojtës kryesisht duke bërë lajmërimin.
Procedura
Dosja e çështjes qysh në momentin e ardhjes në Gjykatën e Lartë regjistrohet nga punonjësit e Zyrës së Regjistrimit në sistemin përkatës dhe sapo hidhen të dhënat (informacioni mbi çështjen, baza ligjore, palët ndërgjyqësve, vendimet e mëparshme të dhëna nga gjykatat, etj.) sistemi i vendos çështjes automatikisht një numër dhe ia cakton këtë çështje gjyqtarit përkatës në mënyrë të menjëhershme dhe të rastësishme, pra duke realizuar që në këtë moment shortin e pare (dhomë këshillimi). Ky short është elektronik dhe nuk mund të bëhen modifikime apo ndërhyrje në të, po ashtu nuk mund të llogaritet gjyqtari të cilit do t’i bjerë për shqyrtim një çështje e caktuar. Në rastin kur gjyqtari dhe ndihmësi ligjor përkatës paraqesin kërkesë me shkrim sipas ligjit për heqje dore nga kjo çështje, bëhet përsëri shorti elektronik në mënyrë të menjëhershme dhe të rastësishme nga sistemi. Procedura e mësipërme zbatohet edhe për çështjet civile që kalojnë për gjykim. Me marrjen e vendimit nga trupi gjykues në dhomë këshillimi kryhet shorti dytë elektronik. Dosjet me vendimin përkatës të kolegjit seleksionues, ndihmësi ligjor ia kalon Sektorit të Regjistrimit kur çështja kalon për gjykim dhe Sektorit të Sekretarisë, kur është vendosur mospranimi i rekursit (që të kryhen procedurat e nevojshme për kthimin e dosjes).
N.q.s. është vendosur mospranimi i çështjes dosja i kthehet gjykatës përkatëse.

18 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›