E Diel, 1 Nëntor 2026

Virusi A/H1N1, shkon 16 numri i rasteve të prekura



Shtohen rastet e prekura me virusin AH1N1 në vendin tonë, ku ekzaminimet e fundit tregojnë dhe për 4 raste të reja.
Konfirmimi ka ardhur nga laboratori i Bukureshtit, ku gjatë ditës së djeshme erdhën përgjigjet për 6 persona, 2 prej të cilëve rezultuan se nuk ishin prekur nga virusi i gripit të derrit. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se është rritur ndjeshëm numri i mostrave që dërgohen në Bukuresht. Sipas tyre, numri i rasteve të dyshuara është rritur në masë. Ata bëjnë të ditur se drejt Bukureshtit nisen çdo ditë 15 mostra. Por përveç numrit zyrtar të të prekurve me grip derri që është publikuar deri më tani, specialistët e ISHP-se thonë se numri i tyre mund të jetë edhe më i lartë pasi fatmirësisht ky virus në vendin tonë është shfaqur me shenja të lehta dhe shumë nga qytetarët mund t’i neglizhojnë shenjat e tij e nuk vizitohen tek mjeku i familjes. Më problematik dhe më agresiv virusi A/H1N1 pritet të jetë në sezonin e vjeshtës, atëherë kur fillon të shfaqet edhe gripi i zakonshëm dhe virusi mund të pësojë mutacion. Përhapja e tij pritet të jetë edhe më e madhe për shkak se nis dhe procesi mësimor. Por specialistët bëjnë apel që të gjithë që vënë re simptomat të drejtohen te specialistët. Njëkohësisht, kërkojnë që qytetarët të mos kalojnë në panik, aq më tepër ata që e kanë kaluar njëherë. Specialistët deklarojnë se një person që ka kaluar një herë virusin e gripit të derrit nuk preket më. Ky fakt është bërë i njohur nga Dhimitër Kraja, Shef i Shërbimit Infektiv, pranë QSUT-së, i cili kërkon të qetësojë të gjithë qytetarët përsa i përket frikës nga rikthimi i virusit. Trupi fiton imunitet ndaj virusit dhe përjashton një mundësi tjetër infektimit të të njëjtit person. Ai deklaroi se numri i rasteve krahasuar me 2-3 javët e para ka ardhur në rënie. Virusi në vendin tonë në këtë periudhë ka qenë të lehta, do të ishte i favorizuar ai që e kalon këtë virus gjatë kësaj periudhe. Sipas Krajës, deri më tani pranë këtij shërbimi në QSUT janë trajtuar 5 raste të konfirmuar me grip derri, prej të cilëve 3 kanë marrë edhe medikamentin e Tamiflusë.

Fauna e egër, çelet sezoni i gjuetisë për 2 lloje shpendësh

TIRANË- Me hapjen e sezonit të gjuetisë për disa lloj shpendësh në datën 15 gusht, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave ka marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e specieve, sidomos të atyre në rrezik zhdukjeje. Drejtori i Politikave të Mbrojtjes së Natyrës në MMPAU, Sajmir Hoxha, tha se në 15 gusht është hapur sezoni i gjuetisë për turtullin dhe shkurtën, ndërsa për llojet e tjera do të hapet në datën 1 tetor për t'u mbyllur në 28 shkurt 2010. Sipas tij, nga 780 lloje të faunës së egër, 23 prej tyre janë planifikuar dhe miratuar për objekt gjuetie, bazuar në kalendarin dhe limitet e lejueshme në fuqi. Në këtë kuadër, specialistët e mbrojtjes së faunës inspektuan gjatë fundjavës zonën e Kurbinit për t’u njohur me masat e marra për ruajtjen dhe shtimin e faunës së egër në zonë. Inspektimet do të vijojnë dhe në zona të tjera të vendit, vuri në dukje Hoxha.
Fauna e egër mbrohet me ligj të miratuar vitin e kaluar, ndërkohë që specialistët e mjedisit po punojnë për hartimin e një ligji të ri mbi gjuetinë. Shndërrimi i gjuetisë në një aktivitet jo ekonomik, por ç’lodhës dhe argëtues është ndër objektivat e këtij ligji të ri, që po përgatitet nga ekspertët e mjedisit. Sipas drejtorit Hoxha, ligji do të qartësojë dhe marrëdhënien midis gjuetisë, si aktivitet, dhe shoqatave dhe grupimeve të ndryshme që operojnë në këtë fushë. Shërbimi pyjor ushtron kontrolle të vazhdueshme për mbajtjen në kontroll të gjuetisë së paligjshme, ndërsa ka ndaluar dhe dënuar me masa administritative rreth 50 kundravajtës në vit. Masat variojnë nga sekuestrimi i armëve, deri në gjoba të rënda administrative. Por për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të kontrolluar dhe në përputhje me aktet ligjore në mbarë vendin specialistët e mbrojtjes së faunës kërkojnë bashkëpunimin e pushtetit vendor, policinë e shtetit, organet doganore dhe tatimore, etj. Në vend operojnë Shoqata Kombëtare dhe Federata e Gjuetisë, të cilat kanë degët e tyre në çdo rreth. Numri i anëtarëve të rrjetit të gjuetisë në vend, sipas të dhënave nga shoqatat, arrin në rreth 17 mijë.

Dy zjarre në 4 orë, digjet një kasolle dhe një banesë

ELBASAN -Dy zjarre ranë në orët e para të mëngjesit të djeshëm në qarkun e Elbasanit për fat të mirë nuk shkaktuan dëme në njerëz.
Burime nga reparti i zjarrfikëses bënë të ditur se, “vatra e parë e zjarrit u konstatua në një kasolle të mbushur me bar të thatë në fshatin Pishaj të rrethit të Gramshit duke rrezikuar djegien e banesës shumë pranë kasolles, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikëses evitoi dëmtimet. Vatra e zjarrit të dytë u konstatua sot në mëngjes në një banesë në katin e tretë të një pallati në lagjen “Rruga e re” në qytetin e Elbasanit si pasojë e një qarku të shkurtër elektrik. Ndërhyrja e zjarrfikëses mundi të shuajë flakët, që rrezikonin të përhapeshin edhe në apartamentet e tjera të pallatit.

18 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›