E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greku, 8 plumba dy shqiptarëve

 

GREQI/ KORFUZ

Një zënkë banale mes dy shqiptarëve të dehur dhe pronarit grek të një lokali në ishullin e Korfuzit i ka kushtuar jetën njërit prej shqiptarëve, ndërsa tjetri është plagosur rëndë. Autori i ngjarjes së rëndë, të ndodhur në orët e para të mëngjesit, ka rënë në pranga pas disa orësh kërkimesh, pasi ishte fshehur në pjesën jugorë të ishullit. Sipas mediave greke, të cilat i referohen burimeve zyrtare të policisë lokale, gjithçka ka nisur pas mesnatës të së shtunës, ndërsa dy shqiptarët ndodheshin duke konsumuar pije alkoolike në një lokal në veri të ishullit të Korfuzit. Të pavetëdijshëm si pasojë e alkoolit të shumtë të konsumuar ata kanë nisur të shqetësojnë klientët e tjerë që ndodheshin aty, si dhe vetë pronarin grek të lokalit, i cili u kishte tërhequr disa herë vëmendjen për veprimet e tyre. Pas mesnate dy shqiptarët janë përzënë nga lokali dhe janë larguar drejt banesës së tyre. Duke e konsideruar fyerje veprimin që kishte bërë ndaj tyre pronari i lokalit i ndihmuar edhe nga klientë të tjerë grekë, dy shqiptarët janë kthyer sërish në orët e para të mëngjesit në lokalin ku ishin përzënë, duke shkatërruar në mënyrë të dhunshme çfarëdo sendi që u dilte përpara. Në këtë moment, në grindje është përfshirë një shtetas grek, pasi është konfrontuar me fjalë fyese dhe ofendime të rënda me dy shqiptarët. Greku, i cili ishte gjithashtu klient i lokalit nuk ka ngurruar të nxjerrë një pistoletë, që mbante me vete dhe ka qëlluar të paktën 8 herë mbi dy shqiptarët. Njëri prej tyre ka vdekur menjëherë pasi plumbi i ka përshkuar zemrën, ndërsa tjetri është plagosur rendë dhe është dërguar në spitalin e Korfuzit. Mjekët ende nuk janë shprehur nëse e ka kaluar rrezikun për jetën, por bëhet e ditur se ndaj tij po kryhen mjekime intensive, pasi plumbat i kanë dëmtuar disa prej organeve kryesore të trupit. Sipas mediave greke viktima është Klorat Alikaj, 35 vjeç, ndërsa shoku i tij i plagosur quhet Odisea Dalarti, 34 vjeç. Kurse vrasësi është shtetasi grek Spiro Merkuri 40 vjeç, arrestimi i të cilit është bërë i mundur vetëm pas disa orësh kërkimesh intensive nga policia e shtetit helen. Sipas mediave greke Merkuri menjëherë pas krimit ishte larguar nga pjesa veriore e ishullit duke lëvizur drejt Jugut, çka ka bërë të vështirë kërkimet për të. Ai i është nështruyar një seance pyetjesh nga hetuesit e çështjes, prej nga mësohet se paraprakisht mbi të rëndon akuza e kryrjes së një krimi në gjendje papërgjegjshmërie për shkak të dehjes. Dëshmitarët i kanë treguar policisë se si viktimat edhe autori i ngjarjes së rëndë kishin konsumuar sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike dhe se kishin vepruar në kushte papërgjegjshmërie. Sipas tyre para ekzekutimit, viktimat dhe autori kishin shkëmbyer sharje dhe fyerje të rënda, ndërsa zënka mes tyre stimulohej edhe nga dehja prej alkoolit të shumtë të konsumuar. fa.ma.

Arma e krimit e vjedhur nga polici grek në tetor 2008
Korfuz - Hetimet e policisë kanë zbuluar se arma e përdorur në vrasjen e një shqiptari dhe plagosjen e bashkëkombësit të tij në Korfuz, është vjedhur tetorin e vitit 2008. Pistoleta mësohet se është vjedhur, madje nga një efektiv i policisë greke në vendin e tij të punës. Arma më pas duket se ka kaluar dorë më dorë në tregun ilegal, duke përfunduar tek autori i vrasjes së emigrantit shqiptar. Të dhënat e mbledhura deri më tani tregojnë se polici që ka vjedhur armën vitin që shkoi, nuk është ndëshkuar për këtë veprim, pasi ende shërben në ishullin e Korfuzit në autoritetet e rendit. Policia thotë se do të marrë në pyetje autorin e vrasjes për të mësuar mënyrën se si ai ka arritur të sigurojë armën që përdori në vrasjen e një shqiptari dhe plagosjen e rëndë të emigrantit tjetër në ngjarjen e ndodhur në lokalin e ishullit të Korfuzit. Grupi i hetimit për këtë ngjarje, mësohet se ka marrë në pyetje edhe pronarin e lokalit, ku ndodhi ngjarja, të cilit i është kërkuar të japë sqarime në lidhje me konfliktin që ka pasur me dy shqiptarët, të cilëve u mori jetën klienti grek që ndodhej në bar në momentin e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›