Studimi, popullsia shqiptare pas viteve 90 drejt plakjes me ritme të shpejta
Emanuela Sako
Popullsia shqiptare po shkon drejt plakjes duke pësuar rritje mosha mesatare e saj. Mosha mesatare e popullsisë është 32.5 vjeç, ku 32.1 vjeç është për meshkujt dhe 33 vjeç për femrat. Mosha mesatare e popullsisë ka pësuar një rritje të dukshme pas viteve ’90, çka tregon se tendencat janë gjithmonë e më shumë drejt rritjes. Popullsia shqiptare deri pak kohë më parë u cilësua si një popullsi me moshë të re, por, të dhënat e fundit të specialistëve të shëndetësisë dhe INSTAT, tregojnë se mosha mesatare e popullsisë po vjen duke u rritur me ritme të shpejta. Sipas tyre kjo tregon se popullsia shqiptare po shkon drejt plakjes. Sipas një studimi të Ministrisë së Shëndetësisë, shkaqet e rritjes së moshës mesatare të popullsisë në vend, janë ulja e numrit të lindjeve, vdekshmëria foshnjore, emigracioni i theksuar pas viteve ’90 etj.
Statistikat
Duke iu referuar statistikave të INSTAT, faktorët kryesorë të rritjes së popullsisë konsiderohen tre si më kryesorët: vdekshmëria foshnjore, emigracioni relativisht i lartë dhe rënia e vazhdueshme e numrit të lindjeve. Nga vitet ’90 deri në 2001, mosha mesatare e popullsisë është 29 vjeç ndërsa tani është 32 vjeç. Nga 82 mijë lindje që ishin në vitin 1990, në fund të vitit 2007 numri i tyre arriti në rreth 33 mijë duke shënuar një rënie prej 60 %. Që nga viti 1960 indeksi sintetik i fekonditetit ka pësuar rënie të vazhdueshme. Në vitin 1960 ishte mjaft i lartë më shumë se 5 fëmijë për një femër të grupmoshës riprodhuese, në vitin 2007 ky indeks është ulur në 1.4 fëmijë për një femër të grupmoshës riprodhuese. Sipas INSTAT, ky tregues është mjaft domethënës pasi ka të bëjë me riprodhimin e popullsisë. Sipas parashikimeve të popullsisë të bëra mbi bazën e Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave të vitit 2001, ky tregues do të vazhdojë të bjerë, gjë që tërheq vëmendjen për fillesën e një plakjeje të popullsisë. Të dhënat e fundit tregojnë se mosha mesatare e popullsisë është 32.5 vjeç.
Lindshmëria
Niveli i lindshmërisë në vendin tonë nga 3.6 që ka qenë më parë është ulur në 2.1 për qind. Ulja e lindshmërisë është e lidhur me aspekte sociodemografike dhe ekonomike. Sipas një studimi të Ministrisë së Shëndetësisë, lindshmëria po pëson gjithmonë e më shumë rënie, ku sipas të dhënave, mesatarja e fëmijëve që ka një familje është 2 fëmijë. Kështu, numri i lindjeve është sa gjysma e një dekade më parë. Studimi detajon se popullsia shqiptare po shfaq tendenca të plakjes, ndërsa në vitin 2010 mendohet se mosha e personave mbi 60 vjeç do të jetë 13.1 % e popullsisë. Tranzicioni i viteve të fundit ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë vendase në moshë të re të emigrojë, për pasojë të ulet numri i lindjeve në vend. Jo më pak ndikim në këtë prirje ka edhe lëvizja e brendshme e popullsisë drejt zonave urbane. Vështirësitë ekonomike dhe papunësia që përjeton vendi ynë bëjnë që çiftet e reja të mos kërkojnë të lindin më tepër se dy fëmijë, por edhe politika e lirë mbi abortin ka një ndikim mbi nivelin e lindshmërisë. Futja e mjeteve moderne të planifikimit familjar është një strategji e përdorur nga të gjitha gratë. Shqiptarët ende nuk janë futur në vendet problematike përsa i përket plakjes së popullsisë, por vitet e fundit vihet re një ulje e numrit të lindjeve në vend.
Shkaqet e plakjes së popullsisë në vend
Specialistët e shëndetësisë bëjnë të ditur se shkaqet kryesore që çojnë popullsinë drejt plakjes janë: tendenca e fundit e çifteve për të pasur më pak fëmijë, emigracioni, lëvizjet demografike, vdekshmëria foshnjore, rritja e moshës mesatare të martesës. Duke iu referuar këtyre faktorëve ndikues, pas viteve ’90 popullsia shqiptare pati një fluks të madh të emigrimit të të rinjve në vendet e huaja, si dhe një lëvizje të madhe të popullsisë nga zonat rurale drejt atyre urbane. Me ndryshimin e faktorëve të mësipërm, të rinjtë patën një tendencë të planifikimit familjar dhe lindjen e sa më pak fëmijëve. Njëkohësisht, u rrit mosha mesatare e martesave, që do të kufizonte lindjen e shumë fëmijëve nga një çift. Një arsye tjetër është vdekshmëria foshnjore, ku sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, llogariten 18 vdekje për një mijë lindje. Krahasuar me vendet e tjera të BE-së, në spitalet dhe klinikat e vendit tonë mungojnë medikamentet dhe aparaturat e specializuara. Shkaqet që e bëjnë tepër problematike situatën janë nga më të ndryshmet, ku një ndër faktorët kryesor është cilësia jo e mirë e kujdesit shëndetësor që ofrohet gjatë shtatzënisë. Në këtë rast përfshihet kujdesi para lindjes dhe pas lindjes së foshnjës. Ndër këto raste përfshihen dhe njohuritë që kanë nënat për shtatzëninë, si dhe niveli i njohurive bashkëkohore nga ana e personelit mjekësor. Specialistët e shëndetësisë theksojnë se përveç mungesës së medikamenteve në mjaft raste ka ndodhur që vdekjet të vijnë si pasojë e medikamenteve që përdoren pa rekomandimin e mjekut ose që jepen me lejen e personelit mjekësor, por që janë të papërshtatshme. Në shumicën e rasteve në spitalet e rretheve mungojnë mjetet e transportit, siç janë ambulancat.
Europa, moshatare e popullsisë në disa vende të botës
Në vitin 2025, shumë vende të Europës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik do të kenë një popullsi ndër më të plakurat në botë. Kjo përbën një kërcënim për sukseset ekonomike të kohëve të fundit në rajon nëse reformat e pensioneve dhe kujdesit shëndetësor nuk trajtohen siç duhet dhe nëse nuk zbatohen politika që promovojnë rritjen e eficiencës. Kudo në botë, shoqëritë e plakura përballen me rrezikun e pasojave serioze ekonomike. Sipas një raporti të ri të Bankës Botërore, ende, Europa Lindore dhe ish-Bashkimi Sovjetik, që përfshijnë 28 vende nga Rusia deri te Shqipëria, përbëjnë rajonin e vetëm në botë që përballet me sfidën e kombinuar të plakjes së shpejtë, kryesisht me popullsi të varfër dhe një tranzicion të papërfunduar drejt një ekonomie tregu të zhvilluar. Në këto vende, problemet janë përkeqësuar si rezultat i nevojës për të shpejtuar tranzicionin ekonomik dhe në të njëjtën kohë për të ndërmarrë reforma urgjente afatgjata që trajtojnë pasojat demografike, - thuhet në raportin e Bankës Botërore “Tranzicioni i tretë” i popullsive në plakje në Europën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik”.
Shkaqet e plakjes në Europë:
Emancipimi i shoqërisë
Rritja e numrit të grave në karrierë
Numri i madh i çifteve që bashkëjetojnë
Mentaliteti për të pasur vetëm një fëmijë dhe për t’i plotësuar atij të gjitha kushtet
Shkaqet e plakjes në Shqipëri:
Emigracioni i popullsisë në moshë të re
Lëvizja drejt zonave urbane
Rritja mesatare e moshës së martesës
Ulja e numrit të fëmijëve që një çift do të lindë
Vdekshmëria foshnjore
Jetëgjatësia
Jetëgjatësia është 74 vjeç
Jetëgjatësia për meshkujt është 72.5 vjeç
Jetëgjatësia për femrat është 77.5 vjeç
Këta tregues janë të njëjtë me vendet e zhvilluara dhe nga ana tjetër tregues si vdekshmëria foshnjore, vdekshmëria amtare dhe treguesi i sëmundjeve akute janë të krahasueshme me vendet në zhvillim.
18 Gusht 2009