Itali, zbardhet masakra shqiptare
Çlirim Fejzo, shqiptari që qëlloi për vdekje mbi gruan e tij brenda në Gjykatën e Rexhio Emilias në Itali dy vjet më parë, ka qenë krejtësisht i kthjellët dhe i vetëdijshëm për atë që po bënte. Ai e ka parë drejt në fytyrë bashkëshorten me të cilën ishte në proces divorci dhe ka shkrehur armën që mbante në dorë, ndërkohë që të pranishme në skenën horror ishin edhe dy vajzat e çiftit shqiptar. Rreth dy vjet pas ngjarjes së përgjakshme, që përfundoi me tre të vdekur, mes të cilëve edhe vetë autori Çlirim Fejzo dhe tre të plagosur, autoritetet italiane kanë zbardhur zyrtarisht dje autopsitë e viktimave dhe dinamikën e plotë të ngjarjes. Rindërtimi i ngjarjes ka faktuar edhe ligjërimin e veprimit të forcave të rendit, që hapën zjarr mbi Fejzon duke e vrarë me armë brenda gjykatës. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane, sipas të cilave ditën e djeshme në Pallatin e Drejtësisë janë depozituar autopsitë e viktimave të ngjarjes që bëri bujë në Itali dhe në rajon, pasi gjakderdhja ndodhi brenda mureve të gjykatës. Ndërkohë që ngjarja u frenua, pasi punonjës të policisë hapën zjarr me armë drejt agresorit Çlirim Fejzo duke i shkaktuar vdekjen.
NGJARJA
"Çlirim Fejzo, 40 vjeç ishte i kthjellët kur ia drejtoi armën bashkëshortes së tij", citonin dje mediat italiane. Referuar versionit zyrtar të zbardhjes së ngjarjes nga hetuesit italianë, mësohet se Fejzo fillimisht ka qëlluar drejt Xhovana Favës, avokates së bashkëshortes së tij, më pas drejt gruas me të cilën po divorcohej, Vjosa Fejzo. Ndërsa "shënjestra" e tretë ka qenë kunati i tij Arjan Demcolli, 42 vjeç i cili u përpoq ta çarmatoste, por që rezultoi pa sukses, pasi Fejzo ka qëlluar me armë drejt tij. Sipas hetuesve italianë, Demcolli është qëlluar nga dy plumba. I pari e ka goditur në pjesën e shpinës nga një largësi rreth 20-30 metra teksa po përpiqej të ikte. Ndërsa më pas Fejzo i ka dhënë fund duke e goditur me një plumb në kokë.
Vjosa Fejzo, bashkëshortja e tij është qëlluar katër herë nga plumbat. Ndërsa mbi trupin e agresorit Fejzo kanë rënë 8-9 plumba, kryesisht në pjesën e gjymtyrëve të poshtme. Bëhet e ditur se plumbat që kanë prekur Fejzon janë shkrehur nga armët e karabinierëve, që nuk po mundnin të ndalnin shfrenimin e çmendur të shqiptarit brenda në Gjykatën e Rexhio Emilias. Sipas investiguesve, karabinierët kanë qëlluar fillimisht këmbët e Fejzos për ta rrëzuar atë dhe të bllokuar zjarrin nga arma e tij.
Por agresori ka vazhduar të qëndrojë në këmbë, duke përbërë një kërcënim të vërtetë për gjakderdhje të mëtejshme, pasi ambienti ka pasur edhe njerëz të tjerë dhe ai mbante të ngritur armën e tij të mbushur. Atëherë një plumb në pjesën e kokës, e ka neutralizuar atë përfundimisht. Sipas hetuesve, rezulton se Fejzo, nuk e ka kuptuar që është qëlluar me plumba në gjymtyrë, pasi dhimbja vjen pas disa çastesh.
VIKTIMAT
Nga të shtënat e armëve mëngjesin e 17 tetorit të vitit 2007 mbetën të vrarë Vjosa Fejzo, Arjan Demcolli dhe Çlirim Fejzo, ndërsa u plagosën avokatja Xhovana Fave, një punonjës e gjykatës dhe një karabinier. Por ngjarja nuk kishte vetëm viktimat e armëve të zjarrit. Tmerrit të përjetuar në momentin e ngjarjes nga personat e tjerë të pranishëm në ambientet e gjykatës së Rexhio Emilias nuk i shpëtuan as dy vajzat e çiftit Fejzo. Pas pamjes makabre që iu servir atë mëngjes tetori në gjykatën e Rexhio Emilias, ato iu besuan një instituti rehabilitimi. Ndërkohë që ngjarja "shkundi" sistemin e sigurisë në gjykatat italiane, pasi 40-vjeçari Fejzo arriti të depërtonte deri në ambientet e brendshme të saj pa "i hyrë gjemb në këmbë", ndërsa mbante një armë me vete. "Tashmë ekzistojnë sisteme shumë më të sofistikuara për zbulimin armëve të ftohta apo të zjarrit, që mund të fshihen nga persona që futen në gjykatë", sqaronin dje mediat e vendit fqinj. ar.ba
Masakra në gjykatë për divorcin
Itali - Çlirim Fejzo, 40 vjeç nga Durrësi, emigrant në Itali qëlloi 25 herë me pistoletë brenda Gjykatës së Rexhio Emilias në Itali, sapo gruaja e tij kishte dalë nga salla e gjyqit ku kishte kërkuar divorcin. Ndarja e dy bashkëshortëve dhe kujdestaria e fëmijëve, ka qenë shkaku i ngjarjes. hetimet e policisë italiane patën vështirësi për shkak se dy protagonistët e ngjarjes, Çlirim Fejzo dhe gruaja e tij mbetën të vdekur gjatë masakrës pa mundur të jepnin asnjë sqarim në lidhje me ngjarjen. I revoltuar tej mase për procesin gjyqësor të divorcit, Çlirim Fejzo ka marrë armën dhe është nisur drejt gjykatës ku zhvillohej procesi. Në përfundim të seancës, sapo ka parë gruan e tij që ka dalë nga salla e gjyqit, ai ka qëlluar ndaj saj dhe ndaj avokates. Si pasojë e ngjarjes mbeti i plagosur edhe një efektiv i policisë, që po transportonte një të pandehur në korridoret e gjykatës drejt sallës përkatëse të gjyqit.