E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë, pafajësi të pjesshme për Bujar Himçin

03/03/2005  TIRANË – Gjykata e Lartë ka shpallur dje vendimin për katër zyrtarët e Ministrisë së Rendit Publik, akuzuar dhe më pas deklaruar fajtor për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Bujar Himçi, i dënuar nga dy shkallët e para për tri akuza, atë të pabarazisë në tendera, shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve me 15 muaj burg, dje përfitoi nga shkalla e tretë një ulje prej 3 muajsh. Himçit i ranë dy akuza, ndërsa i mbeti në fuqi njëra, ajo e pabarazisë në tendera. Veli Myftarit i mbeti dënimi në vend, ai me 12 muaj, ndërsa Arben Prifti, ndryshe nga dy shkallët e tjera të gjykimit, që mori pafajësi dje u dënua me 300 mijë lekë gjobë. Edmond Alia do të vuaj dy vite burg në momentin e parë që do të arrestohet. Të akuzuar për tenderin e pasaportave në Ministrinë e Rendit Publik dhe deklaruar fajtorë, të pandehurit nuk e pranuan këtë fakt. Në Gjykatën e Lartë kishin bërë rekurs të dyja palët. Kështu që asnjë prej të pandehurve nuk doli i pafajshëm në tërësinë e provave. Edhe pse të pandehurit kanë përfunduar vuajtjen e dënimit nga shkalla më e lartë e gjyqësorit, ata kërkuan pafajësi, të cilën nuk arritën ta merrnin. Megjithatë gjatë kësaj kohe, Arben Prifti që e kishte fituar këtë pafajësi në dy shkallët, kishte bërë kërkesë për dëmshpërblim në shkallën e parë dhe Bujar Himçi arriti të marrë licensën e avokatit. Tashmë të gjithë të pandehurit janë të lirë. Ish-zyrtarët e Ministrisë së Rendit u gjykuan dhe përfundimisht u deklaruan fajtorë, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tyre i kishin shkaktuar një dëm shtetit që llogaritej në 1.385.092,69 dollarë amerikanë. Bëhet fjalë për shkeljet që janë vënë re në zhvillimin e tenderit të pasaportave. Me propozim të Ministrisë së Rendit Publik dhe me miratim të Agjencisë së prokuroimeve publike, i është kërkuar Këshillit të Ministrave që të miratonte procedurën e tenderimit "kërkesë për kuotim" me fondin limit prej 9.346.200 dollarë. Në tender ishin planifikuar dhe pranuar të merrnin pjesë pesë firma dhe konkretisht, Polaroid – Amerikë, Bundesdruckerei GMB H – Gjermani, Euroget Technologies S.A – Greqi, FTS S.A.S – Francë dhe De La Rue – Angli. Ndërsa kanë filluar procedurat, nuk është lajmëruar njëra nga firmat, e cila më pas ka bërë dhe ankim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›