Prokuroria, përgjigjja e Zvicrës ka shumë pasaktësi

03/03/2005 Prokurori Etjen Kapo, në seancën e djeshme kundër të pandehurve të grupit "Hakmarrja për Drejtësi", deklaroi se përkthimi i përgjigjes së sjellë nga autoritetet zvicerane ka shumë pasaktësi. Duke mos sqaruar se ku qëndronte pasaktësia në përkthim, Kapo i kërkoi trupit gjykues të shtyjë seancën gjyqësore, duke i lënë kohë për të sqaruar problemin dhe të bëjnë konsultimet e duhura. Autoritetet e Zvicrës, disa ditë më parë kthyen përgjigjen se nuk mund të njoftojnë dhe të ekstradojnë të pandehurit Orik Shyti dhe Kreshnik Spahiu, pasi, ata kanë fituar azilin politik. Kjo përgjigje e kthyer nga ana e autoriteteve zvicerane, ka befasuar prokurorët, të cilët nuk e prisnin një gjë të tillë. Jo vetëm kaq, por prokurorët kanë vënë në dyshim edhe përkthimin e bërë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Kështu, në seancën e datës 2 mars, do të merret vendim nga gjykata për vazhdimin e mëtejshëm të procesit. Përgjigjja negative e sjellë nga Zvicra, pason atë të sjellë më parë nga autoritetet belge. Altin Arapi qe i pari që i shpëtoi ekstradimit, edhe pse nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme u dërgua dosja penale më të gjitha provat. Si Belgjika dhe Zvicra, e kanë quajtur procesin kundër "Hakmarrjes për Drejtësi" politik. Pasi kanë mundur Prokurorinë e Përgjithshme, të pandehurit e këtij grupi kanë arritur të sigurojnë edhe azilin politik në vendet ku janë strehuar. Prokurorisë nuk i ka mbetur gjë tjetër, vetëm të pranojë gjykimin e të pandehurve në mungesë të tyre dhe pa mundur të marrë konfirmimin e saktë dhe firmën e secilit.